Lidhje

Mosmarrëveshje mes fraksioneve të opozitës siriane


Një grup fraksionesh të opozitës me seli në Siri akuzoi koalicionin më të madh të opozitës në mërgim se nuk ka përfaqësuar popullin sirian, një shenjë kjo e mosmarrëveshjeve të mëtejshme mes kundërshtarëve të Presidentit Bashar al-Assad.

Katër fraksionet e opozitës bënë sot një deklaratë në të cilën kërcënonin të tërhiqnin njohjen e Këshillit Kombëtar Sirian me seli në Turqi në qoftë se nuk zgjeron antarësinë për të përfshirë "forcat revolucionare" në Siri.

Kjo deklaratë u bë ndërkohë që anëtarët e Këshillit Kombëtar Sirian përpiqeshin të arrinin marrëveshje lidhur me strategjinë e ardhshme, megjithëse kanë zhvilluar takime për më shumë se një javë në Stamboll.

Ndërkohë, Këshilli Kombëtar Sirian i bëri thirrje Bashkimit Evropian të furnizojë pa humbur kohë rebelët me armë, pas një vendimi të BE-së për të hequr embargon e armëve ndaj grupeve opozitare të vendit. Vendimi i kësaj jave i BE-së i lejon vendet evropiane t’i japin armatime rebelëve sirianë.

Por deri tani, edhe vende si Britania dhe Franca, që kanë mbështetur idenë e armatosjes së opozitës, thonë se nuk kanë në plan ta bëjnë një gjë të tillë.

Disa vende mendohet se janë duke pritur për të parë në se mund të realizohet përparim për konferendën e paqes për Sirinë, propozim amerikano-rus, e cila synon të zgjidhë konfliktin dy-vjeçar.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG