Lidhje

Rebelët sirianë, jo armëpushim për bisedime


Komandanti i Ushtrisë për Sirinë e Lirë thotë se grupi që ai drejton nuk ka për të marrë pjesë në konferencën e paqes për Sirinë të planifikuar për t’u mbajtur në janar në Gjenevë dhe se synon ta vazhdojë luftën për përmbysjen nga pushteti të presidentit Bashar al Assad.

Gjenerali Salim Idriss i tha televizionit Al Jazeera se kushtet nuk janë të përshtatshme për mbajtjen e raundit të bisedimeve Gjeneva 2 dhe se Ushtria për Sirinë e Lirë nuk do t’i pushojë luftimet gjatë konferencës, apo pas saj.

Grupimi kryesor i opozitës në mërgim, Koalicioni Kombëtar Sirian, tha se nuk ka marrë një vendim përfundimtar lidhur me pjesëmarrjen në bisedime, duke këmbëngulur përsëri se zoti Assad nuk duhet të ketë rol në të ardhmen politike të vendit.

Kombet e Bashkuara caktuan datën 22 janar për zhvillimin e konferencës për Sirinë në Gjenevë, me synimin e përcaktuar të krijimit të një qeverie tranzicioni, për t’i dhënë fund konfliktit më tepër se 2 vjeçar, gjatë të cilit janë vrarë mbi 100 mijë njerëz dhe janë zhvendour miliona të tjerë.
XS
SM
MD
LG