Lidhje

Reagimet e ligjvënësve amerikanë për Sirinë

  • Michael Bowman

Ligjvënësit amerikanë të të dyja partive politike mbështetën vendimin e presidentit Barack Obama për të shtyrë veprimin e mundshëm ushtarak kundër Sirisë, ndërkohë që vazhdojnë përpjekjet diplomatike. Por Michael Bowman, pikëpamjet e anëtarëve të Kongresit ndryshojnë ndjeshëm përsa i takon realizimit të objektivit të eliminimit të të gjitha të armëve kimike të Sirisë, pavarësisht nga dëshira e deklaruar Damaskut për ta bërë një gjë të tillë.

Një ditë pasi presidenti Obama i tha vendit se do t’i japë shans diplomacisë të neutralizojë kërcënimin që përbëjnë armët kimike të Sirisë, ligjvenësi demokratik Jim McGovern tha se ndjehej i lehtësuar.

“Jam i kënaqur. Duket se nuk do të shkojmë në luftë. Kjo është e mira. Dhe shpresoj se propozimi i rusëve do të merret seriozisht.”

Në anën tjetër të Kapitolit, senatori republikan John Barrasso tha se presidenti Obama kishte pak alternativa, përveçse t’i kërkonte Kongresit të vonojë votimin për autorizimin e sulmeve ushtarake kundër Sirisë.

“Presidenti shtypi butonin e pauzës. Dhe unë jam dakort me këtë, pasi në se votimi do të mbahej tani në Dhomën e Përfaqësuesve presidenti do të ishte me fat të merrte 100 nga 435 votat. Rezoluta nuk besoj se do të miratohej as në senat.”

Udhëheqësi i pakicës demokrate në senat, Harry Reid theksoi se veprimi ushtarak i Shteteve të Bashkuara nuk është përjashtuar.

“Kryerja ose jo e sulmeve varet nga Siria. Por kjo do të kërkonte veprime të vendosura dhe të shpejta nga ana e regjimit të Assadit për të braktisur këto armë. Ne duam që zgjidhja diplomatike të jetë e suksesshme por fakti që e kërkojmë ne një gjë të tillë, nuk do të thotë që ajo do të ndodhë.”

Senatori Barrasso është skeptik se diplomacia do të jetë e suksesshme.

“Unë ende nuk u besoj rusëve. Ne as që verifikojmë dot në se ata po shkatërrojnë armët e tyre, le pastaj të kontrollojnë ato të Sirisë.”

Senatori demokrat Sherrod Brown është i rezervuar por ka shpresë.

“Sigurisht kemi një situatë të tillë – beso dhe kontrollo. Por kam shpresë se kjo do të bëhet në një mënyrë më gjithëpërfshirëse për të shkatërruar armët kimike dhe jo për të ndërmarrë një sulm ushtarak që do të kishte pasoja të paparashikuara.”

Shumë ligjvënës theksojnë se zgjedhësit e tyre kundërshtojnë një ndërhyrje ushtarake në Siri. Senatori republikan Dan Coats thotë, se sido që të rrjedhin ngjarjet në Siri, Amerika nuk duhet të përfshihet në një tjetër konflikt jashtë vendit.

“Nuk mendoj se është në interesat tona të zgjidhim këto luftra. Ne e kemi provuar këtë – nuk kemi arritur sukses në Libi, Irak dhe Afganistan. Dhe rreziku për një dështim tjetër është Siria. Duhet të mbajmë vëmendjen tek xhihadistët, tek ata që nuk duan të kontrollojnë një vend të Lindjes së Mesme por kërkojnë të na sulmojnë ne.”

Senatori Coats e cilëson pozicionin e tanishëm të Amerikës drejt Sirisë si të papërcaktuar, dhe është i shqetësuar rreth sinjaleve që Uashingtoni po u dërgon kundërshtarëve të Amerikës.
XS
SM
MD
LG