Lidhje

SHBA bëjnë thirrje për sanksione për Sirinë


Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Rodham Clinton bëri thirrje për pasoja reale dhe të menjëhershme

Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e tyre ndërkombëtarë bënë sot thirrje për sanksione globale kundër regjimit sirian të Bashar Asadit. Ata i bënë komentet në një takim të Miqve të Sirisë në Paris ku merrnin pjesë zyrtarë nga rreth 100 vende si dhe anëtarë të opozitës siriane.

Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Rodham Clinton bëri thirrje për pasoja reale dhe të menjëhershme, duke përfshirë edhe sanksione kundër regjimit të presidentit Bashar Asad, nëse ai nuk bindet për të respektuar një armëpushim dhe strategjinë e kalimit të pushtetit.

Por as Moska dhe as Pekini, të cilët kanë të drejtën e vetos në Këshillin e Sigurimit, nuk ishin të pranishëm në konferencën e Parisit.

Prandaj zonja Clinton i bëri thirrje qeverive në mbarë botën për ta drejtuar presionin e tyre edhe drejt Moskës dhe Pekinit.

“Ju bëj thirrje që t’i drejtoheni Rusisë dhe Kinës, dhe jo vetëm me thirrje, por të kërkoni që ata të mos rrinë mënjanë por të fillojnë të mbështesin aspiratat legjitime të popullit sirian," tha Sekretarja Clinton.

"Nuk mendoj se Rusia dhe Kina besojnë se po paguajnë ndonjë çmim duke i dalë përkrah regjimit të Asadit. Mënyra e vetme për ta ndryshuar këtë është që çdo vend i përfaqësuar këtu ta bëjë të qartë në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe urgjente se Rusia dhe Kina do të paguajnë një çmim. Sepse ata po pengojnë përparimin, po e bllokojnë atë. Kjo nuk mund të lejohet më,” tha zonja Clinton.

Diplomatët ndërkombëtarë në konferencën e Parisit po ashtu i kërkuan opozitës siriane të bashkohet.

E zhgënjyer nga diplomacia ndërkombëtare, opozita e përçarë e Sirisë kërkon veprime të shpejta ushtarake në vend.

Por në horizont nuk duken shenja për një ndërhyrje ushtarake të menjëhershme.

Zyrtarët amerikanë theksojnë se janë duke u përqendruar në presionin ekonomik, ndërkohë që administrata e presidentit Obama thotë se nuk do të ndërhyjë ushtarakisht apo me armë për kryengritësit sirianë në atë që ajo e konsideron si një konflikt tepër të militarizuar.

Çdo mandat ndërkombëtar për një ndërhyrje të mundshme ushtarake thuajse me siguri do të bllokohej nga Rusia dhe Kina në Këshillin e Sigurimit.

Zyrtarët amerikanë thonë se një rezolutë e OKB-së mund të paraqitet javën e ardhshme, por ajo kërkon vetëm trysni të mëtejshme ekonomike mbi qeverinë e Asadit.

Ndërkohë, dhuna në Siri ka vazhduar. Aktivistët në qytetin e shkatërruar Homs thonë se kjo zonë iu nënshtrua dje një bombardimi të pandërprerë.
XS
SM
MD
LG