Lidhje

Dita e tretë e luftimeve në Damask


Këto ditë cilësohen si periudha me luftimet më të rënda që nga fillimi i revoltës kundër presidentit Bashar al-Assad.

Në Siri, aktivistët thonë se në Damask kanë vazhduar për të tretën ditë me radhë përleshjet mes forcave rebele dhe atyre qeveritare. Këto ditë cilësohen si periudha me luftimet më të rënda që nga fillimi i revoltës kundër presidentit Bashar al-Assad.

Videot amatore të publikuara sot në internet, paraqesin banorë të Damaskut, duke ju larguar luftimeve, por këto video nuk janë verifikuar në mënyrë të pavarur. Ndërkohë, qeveria irakiane i bëri thirrje qytetarëve të vet në Siri, shumica e tyre refugjatë, të kthehen pa humbur kohë në vendin e tyre, për t’i shpëtuar dhunës në rritje.

Luftimet e sotme, në të cilat aktivistët thonë se u përdorën edhe helikopterë luftarakë, zhvillohen ndërsa Këshilli i Sigurimit debaton lidhur me dy rezoluta për Sirinë. Britania, Franca dhe Shtetet e Bashkuara po kërkojnë shtyrjen e afatit për qëndrimin në Siri të vëzhguesve të OKB-së edhe për 45 ditë të tjera, si dhe për sanksione kundër qervrisë së Bashar al-Asadit. Qëndrimi i Rusisë, është shtyrje e afatit për vëzhguesit e OKB-së por jo vendosje e sanksioneve.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Ban Ki Moon po viziton Kinën, ndërsa i dërguari i OKB-së Kofi Annan po mban bisedime në Moskë me presidentin rus Vladimir Putin. Si Moska, edhe Pekini, i kanë vënë veton më parë rezolutave të Këshillit të Sigurimit të mbështetura nga Perëndimi, duke bërë thirrje për veprime më të ashpëra kundër Sirisë.
XS
SM
MD
LG