Lidhje

Vazhdojnë luftimet në Aleppo; Sirianët arratisen drejt Libanit e Irakut


Aktivistët thonë se luftimet në Aleppo i kanë detyruar shumë banorë të largohen nga rajoni.

Në Siri, trupat qeveritare janë përleshur për të dytën ditë me forcat rebele në qytetin verior Aleppo. Aktivistët thonë se luftimet i kanë detyruar shumë banorët të largohen nga rajoni, drejt vendeve fqinje, si Libani dhe Iraku.

Aktivistët thanë se luftimet në Aleppo janë më të ashpërat në këtë qytet besnik të Presidentit Bashar Al Assad dhe ku nuk ka patur gjakderdhje si në zonat e tjera të vendit. Banorët thanë se Damasku ishte relativisht i qetë sot, pas disa ditë luftimesh, gjatë të cilave rrugët e kryeqytetit u mbushën me kufoma. Kombet e Bashkuara njoftuan se që nga dita e enjte rreth 30 mijë sirianë kanë shkuar në Liban.

Autoritetet irakiane thanë se rreth 1 mijë vetë kanë shkuar atje me avion, ndërsa mijëra të tjerë kanë hyrë në Irak nga Toka, për t’i shpëtuar dhunës në Siri. Turqia ka të regjistruar mbi 43 mijë refugjatë, por mendohet se shumë të tjerë kanë hyrë në territorin turk, pa u numëruar.

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara miratoi dje njëzëri zgjatjen prej 30 ditësh të misionit vëzhgues në Siri, por mbetet i ndarë lidhur me mënyrën e zgjidhjes të konfliktit të përgjakshëm në vend.Të 300 vëzhguesit e paarmatosur ushtarakë u vendoson në Siri sipas planit të paqes të të dërguarit të Kombeve të Bashkuara, Kofi Anan, për t’i dhënë fund konfliktit që ka lënë të vrarë mijëra njerëz gjatë 16 muajve të fundit.
XS
SM
MD
LG