Lidhje

Brahimi: Konferenca e paqes për Sirinë mund të vonohet


I dërguari i posaçëm i Kombeve të Bashkuara për Sirinë thotë se konferenca e paqes për t’i dhënë fund krizës në Siri mund të mos mbahet para korrikut, ngaqë të dyja palët janë të papërgatitura për arritjen e një zgjidhjeje diplomatike.

Zoti Lakdar Brahimi tha sot se ai do të drejtojë një tjetër raund bisedimesh përgatitore më 25 qershor, pasi zyrtarët e Kombeve të Bashkuara, Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara që u takuan sot në Gjenevë, nuk i zgjidhën dot çështjet lidhur me negociatat për paqen.

Ky njoftim erdhi ndërsa ushtria siriane rimori kontrollin e plotë të qytetit strategjik Kusair dhe u zotua se do t’i shtypë me dhunë forcat rebele. Ushtria shprehet se ky zhvillim është një “mesazh i qartë” për të gjithë që kundërshtojnë Sirinë. Rebelët thanë se u tërhoqën nga qyteti Kusair, që e kishin patur nën kontrollin e tyre për më tepër se një vit.

Ky qytet shtrihet përgjatë një autostarde që lidh kryeqytetin Damask me brigjet mesdhetare dhe është pranë rrugëve nga ku forcat kryengritëse fusin armatimet. Forcat siriane u ndihmuan nga qindra luftëtarë të grupit hezbollah gjatë rimarrjes së qytetit.
XS
SM
MD
LG