Lidhje

Problemi i Sirisë për Iranin


Aleati kryesor i Sirisë, Rusia, ka marrë një rol qendror në përpjekjet për të detyruar Presidentin Bashar al-Asad të heqë dorë nga armët e tij kimike. Por aleati kyç i tij në rajon, Irani, ka qëndruar pothuajse në heshtje.

Presidentët e dy aleatëve kryesorë të Sirisë u takuan javën e kaluar, dhe presidenti i ri i Iranit, Hassan Rouhani, shfrytëzoi rastin për të lavdëruar rolin e ri të presidentit rus Vladimir Putin për Sirinë.

Ai shprehu shpresën se diplomacia ruse do të shmangë atë që e quajti “një luftë të re”, një referencë e qartë kjo ndaj kërcënimit të sulmeve ajrore amerikane.

Dhe Irani mund të ketë arsye të forta për të mirëpritur lehtësimin e tensioneve mbi Sirinë, sipas analistit Mark Fitzpatrick në Institutin për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare në Londër.

“Sa më shumë i komplikuar të jetë problemi i Sirisë për perëndimin, aq më i komplikuar është ai për Iranin. Mendoj se në shumë mënyra, Siria po bëhet si Vietnami për Iranin, një rrëmujë me të cilën përballen dhe që nuk mund ta shmang dot”.

Gazetari iranian në mërgim Amir Taheri e quan këtë “një ekzagjerim”, por shton se Irani ka investuar shumë në Siri për ato që ai thotë se janë arsye ideologjike.

“Problemi është se Irani ka një personalitet të ndarë. Irani, ideologjikisht ka interesa në Siri. Irani si vend nuk ka asnjë interes në Siri. Rouhani kërkon ta bëjë Iranin përsëri një vend”.

Udhëheqësit perëndimor shpresojnë që presidenti Rouhani do të ndjekë një përqasje më konstruktive në bisedimet për programin bërthamor të Iranit dhe kreu i ri i Agjencisë për Energjinë Bërthamore të këtij vendio e konfirmoi këtë.

"Kam ardhur këtu me një mesazh nga presidenti i ri i zgjedhur i vendit për të përmirësuar më tej dhe për të zgjeruar bashkëpunimin tonë të vazhdueshëm me agjencinë dhe me synimin për të mbyllur dosjen e ashtuquajtur të aktivitetit bërthamor iranian."

Mark Fitzpatrick thotë se presidenti Rouhani mund të kërkojë të përdorë konferencën për paqe për Sirinë, në se ndodh, për të përmirësuar marrëdhëniet me Perëndimin, dhe për të përmirësuar rolin e tij në politikën e jashtme të Iranit.

“Rasti më i mirë për Iranin është ndoshta në se Irani ftohet në Gjenevë dhe pozita e presidentit Rouhani të forcohet pasi ai do të bisedojë me Shtetet e Bashkuara rreth çështjeve që kanë rëndësi për Iranin, jo vetëm për çështjen bërthamore, që ka rëndësi për Shtetet e Bashkuara.”


Por udhëheqësi suprem i Iranit, Ayatollahu Ali Khamenei, duhet ta mbështesë planin. Dhe Amir Taheri nuk pret që kjo të ndodhë.

“Zoti Khamenei, i cili është udhëheqësi suprem, është i vendosur për të mos e lënë presidentin Assad të rrëzohet. Por çështja kryesore është kush do të ketë ndikimin kryesor për zhvillimet në Lindjen e Mesme, Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre, apo Irani dhe aleatët e tij? Dhe tani për tani, pala që ka mbështetur Irani ka fituar. ”


Zoti Taheri thotë se kjo do ta bënte Ayatollahun Khamenei në pak të interesuar për kompromis me Perendimin, dhe mund të pezullojë çdo përpjekje nga presidenti Rouhani për të përdorur çështjen e Sirisë për të ndjekur një axhendë më të moderuar.


XS
SM
MD
LG