Lidhje

Këshilli i Sigurimit, takim urgjent për Sirinë


Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara përgatitet të mbajë një takim urgjent në përgjigje të pohimeve të opozitës siriane se forcat qeveritare kanë vrarë qindra civilë gjatë sulmeve me armë kimike në afërsi të Damaskut.

Lidhja Arabe dhe vendet perëndimore, duke përfshirë Shtetet e Bashkuara, i bënë thirrje qeverisë siriane të lejojë inspektorët e OKB-së në Damask të vizitojnë menjëherë vendet e sulmeve të së mërkurës.

Qeveria e Presidentit Bashar al Assad mohon se ka përdorur armë kimike në sulmin e saj të fundit kundër lagjeve periferike të kryeqytetit që mbahen nga kryengritësit. Ajo akuzoi opozitën se po përpiqet të zhvendosë vemendjen e inspektorëve të OKB-së që shkuan në Siri këtë javë për të hetuar rreth pretendimeve të qeverisë se kryengritësit kanë përdorur armë kimike në fillim të këtij viti.

Rusia, aleate kryesore e zotit Assad, akuzoi opozitën për një "provokacion me paramendim".

Vlerësimet e opozitës për numrin e të vrarëve kanë qenë mjaft të ndryshme. George Sabra, i Koalicionit Kombëtar Sirian, në mërgim, tha se numri i viktimave ka arritur në 1 mijë e 300 vetë, por kjo shifër ishte e pamundur të verifikohej.


Sekretari i Jashtëm britanik William Hague tha se është tepër i shqetësuar lidhur me njoftimet për sulme kimike dhe shtoi se në se provohet të jenë të vërteta, ato përfaqësojnë një shkallëzim shokues të situatës. Ai tha se Britania do ta çojë çështjen për diskutim në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG