Lidhje

SHBA, Britani, të vendosura për Sirinë


,

,

Presidenti Barack Obama dhe kryeministri britanik David Cameron rikonfirmuan vendosmërinë për një tranzicion të negociuar në Siri dhe një konferencë paqeje për të përgatitur largimin e Presidentit Bashar al-Assad.

Një nga temat kryesore në bisedimet mes Presidentit Obama dhe kryeministrit britanik David Cameron, ishin përpjekjet për të organizuar një konferencë që do të përfshinte qeverinë Assad dhe kryengritësit anti-qeveritarë.

Javën e kaluar, kryeministri Cameron diskutoi për një konferencë me Presidentin rus, Vladimir Putin.

Me zotin Cameron në Shtëpinë e Bardhë, Presidenti Obama tha se Shtetet e Bashkuara dhe Britania do të forcojnë “kundërshtimin e moderuar” dhe do të bëjnë përgatitje për një Siri pa Assadin.

Por ai tha se është realist:

“Do të ketë sfida të mëdha në drejtim të një procesi të besueshëm, edhe nëse Rusia është e përfshirë. Sepse vazhdojmë të kemi vende si Irani dhe faktorë si Hezbollahu që kanë qenë të angazhuar në mënyrë aktive dhe nga ana tjetër kemi organizata si Al-Nusra që janë në thelb të lidhur me al-Kaidën”.

Zoti Obama tha se një konferencë paqeje do të krijonte “një organ të përkohshëm” ndërsa kryhet transferimi i pushtetit nga regjimi i Assadit.

Zoti Cameron tha se kishte folur hapur me Presidentin Putin, por se pikëpamjet e tyre ishin të ndryshme lidhur me rrëzimin apo jo të Assadit.

Në fund, zoti Cameron tha se të gjithë janë të një mendjeje për nevojën për një përpjekje madhore diplomatike për të realizuar “ndryshimin në krye” në Siri:

“80 mijë të vdekur, 5 milionë të detyruar të lënë shtëpitë e tyre. Historia e Sirisë po shkruhet me gjakun e popullit të saj. Dhe po ndodh ndërsa ne shohim. Bota ka nevojë urgjente të bashkohet për t’i dhënë fund vrasjeve”.

Andrew Tabler, i Institutit për Politikat në Lindjen e Afërt thotë se nuk është e qartë se çfarë do të përfshinte një tranzicion i negociuar.

“Një tranzicion sigurisht do të thotë kalimin nga një autoritet në një tjetër dhe deri tani nuk kemi pasur një qëndrim të përbashkët në këtë drejtim. Shtetet e Bashkuara duan që Assadi të largohet. Nuk është e qartë nëse pala ruse do ta kërkonte një gjë të tillë ose nëse Assadi do të vazhdojë të qëndrojë”.

Në krah të kryeministrit britanik Cameron, Presidenti Obama tha se një konferencë paqeje duhet të ndërmjetësojë një tranzicion, të ketë parasysh nevojat e grupeve etnike dhe fetare dhe t’i japë fund gjakderdhjes.
XS
SM
MD
LG