Lidhje

Analistët të shqetësuar për të ardhmen e Sirisë


Zyrtarët e OKB-së kanë bërë të ditur se konferenca e parë e paqes për Sirinë do të zhvillohet më 22 janar në Gjenevë, megjithëse nuk është e qartë se cilat grupe opozitare do të marrin pjesë. Disa analistë të Lindjes së Mesme dyshojnë se konferenca do të ketë sukses ndërkohë që dhuna tre vjeçare ka lënë më shumë se 100 mijë të vdekur.

Ka disa muaj që Kombet e Bashkuara janë duke u përpjekur për të organizuar një konferencë të paqes, por ajo është shtyrë disa herë për shkak të mosmarrëveshjeve në lidhje me përfaqësimin e grupeve dhe kushtet në të cilat ajo duhet organizuar.

Ndërkohë, luftimet janë intensifikuar duke lënë më shumë se 100 mijë të vdekur dhe duke detyruar largimin e afro nëntë milionë njerëzve të tjerë nga shtëpitë e tyre.

Qëllimi i konferencës do të jetë krijimi i një qeverie kalimtare me pushtet të plotë mbi ushtrinë dhe grupet e armatosura që po luftojnë kundër njëri-tjetrit.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Ban Ki - moon thotë:

"Më në fund dhe për herë të parë, qeveria siriane dhe opozita do të takohen në tryezën e bisedimeve në vend të betejës."

Por vetëm një ditë pas atij njoftimi, komandanti i rebelëve të Ushtrisë së Lirë Siriane, gjenerali Salim Idriss, tha se grupi i tij nuk do të merrte pjesë në konferencë dhe do të vazhdonte operacionet e tij luftarake, duke i shuar shpresat për arritjen e një armëpushimi.

Charles Dunne është analist në organizatën Freedom House.

"Ekziston një ndjenjë e madhe hakmarrjeje, mosbesimi dhe dhune në mesin e të dyja palëve që po pengon krijimin e kushteve për një zgjidhje të negociuar. Kështu që unë thjesht nuk mendoj se konferenca e paqes do të ketë sukses."

Përfaqësuesi i Posaçëm i OKB-së për Sirinë, Lakhdar Brahimi ka udhëhequr negociatat për organizimin e konferencës së paqes dhe planet për të ecur përpara.

"Kjo është një mundësi e madhe për paqe e cila nuk duhet humbur."

Por dhimbja në terren vazhdon si pasojë e sulmeve të përsëritura ajrore të qeverisë.

Dhe ndërkohë që forcat qeveritare, të ndihmuara nga luftëtarët e Hezbollahut, bëjnë përparime në luftë, analistët dyshojnë se Damasku është i gatshëm për të negociuar.

Jim Phillips është analist në Fondacionin Heritage.

"Unë mendoj se fakti që qeveria duket se po shënon përparime në luftë, i minon shanset që regjimi i Assadit do të negociojë me besim të mirë."

Grupet e opozitës kanë këmbëngulur se largimi i presidentit sirian Bashar al - Assad nga posti duhet të jetë pjesë e çdo zgjidhjeje të konfliktit në Siri. Megjithatë, zyrtarët qeveritarë thonë se kjo nuk do të ndodhë.

Një tjetër goditje kundër suksesit të konferencës së paqes është fillimi i luftimeve mes grupeve rebele.

Disa luftëtarë të lidhur me Al- Kaidën kanë vënë nën kontroll disa zona me synimin për krijimin e një qeverie islamike.

Charles Dunne i organizatës Freedom House thotë:

"Jam pesimist për të ardhmen e Sirisë. Unë nuk shoh një përfundim të shpejtë të konfliktit ushtarak. Unë jam gjithashtu gjithnjë e më pesimist për mundësinë e gjetjes së një zgjidhjeje paqësore që do të rezultojë në krijimin e një regjimi të qëndrueshëm dhe demokratik."

Konflikti sirian filloi në mars të vitit 2011, pasi protestat paqësore kundër sundimit autokratik të Presidentit Asad u shndërruan në luftë civile, duke kërcënuar edhe stabilitetin e fqinjëve të Sirisë.
XS
SM
MD
LG