Lidhje

Xhamil: Perëndimi do justifikim për ndërhyrje


Zoti Xhamil tha gjatë një vizite në Moskë se dërgimi i trupave perëndimore në Siri do të çonte në një luftë të gjerë në Lindjen e Mesme

Zëvendës Kryeministri i Sirisë, Kadri Xhamil thotë se Perëndimi është duke kërkuar një justifikim për ndërhyrje ushtarake në vendin e tij, por kjo, tha ai, do të ishte e pamundur. Zoti Xhamil tha gjatë një vizite në Moskë se dërgimi i trupave perëndimore në Siri do të çonte në një luftë të gjerë në Lindjen e Mesme.

Zëvendës Kryeministri i Sirisë hodhi poshtë paralajmërimin e presidentit Barak Obama lidhur me pasojat nëse Siria përdor armë kimike, duke e quajtur këtë propagandë zgjedhore.

"Kjo na kujton historinë e Irakut me armët e shkatërrimit në masë. Tani ne e dimë se pas rënies së Irakut, nuk u gjetën armë të shkatërrimit në masë. Pra, Perëndimi është duke kërkuar një pretekst për të ndërhyrë në vendin tonë."

Presidenti Obama tha të hënën se një sulm sirian me armë kimike do të ishte "vija e kuqe" që do të ndryshonte ndjeshëm qëndrimin e Shteteve të Bashkuara.

Por kreu i një organizate me qendër në Shtetet e Bashkuara që studion interesat politike amerikane në Lindjen e Mesme thotë se paralajmërimi i presidentit nuk shkon aq larg sa të mbrojë civilët sirianë.

"Nuk jam një tifoz i këtij formulimi, sepse, ndërsa ai dërgon një mesazh shumë të fortë se përdorimi i armëve kimike kërcënon të shkaktojë veprime ndërkombëtare të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara, ai u tregon pa dashje sirianëve se çdo gjë tjetër nuk do të shkaktojë veprime nga ana e amerikanëve, madje as gjenocidi dhe as vrasjet masive në shkallë ndoshta edhe më të madhe se në Srebrenicë të Bosnjes. "

Në Siri, një gazetare japoneze u vra në një shkëmbim zjarri midis forcave qeveritare dhe rebele në Aleppo. Ministria e Jashtme e Japonisë tha se Mika Yamamoto punonte për agjencisë Japan Press.

Dy gazetarë të stacionit Alhurra TV që ishin me të rezultojnë të zhdukur.

Bordi i Guvernatorëve të Transmetimeve për Jashtë, ku bëjnë pjesë edhe Alhurra dhe Zëri i Amerikës, i ka bërë thirrje qeverisë siriane të garantojë sigurinë e dy gazetarëve.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG