Lidhje

Refugjatët sirianë në Liban


Kombet e Bashkuara thonë se më shumë se dy milion njerëz janë larguar nga Siria për t’i shpëtuar luftës. Ndërsa presin për sulmet ajrore nga Shtetet e Bashkuara, ata po largohen më shpejt se kurrë ndonjëherë. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Heather Murdock ka përgatitur materialin rreth dyndjeve në fshatrat e Libanit pranë kufirit me Sirinë.

Në këtë qendër në Libanin lindor, refugjatët sirianë presin ndërsa punëtorët shkarkojnë bukën për ta shpërndarë. Besam Kazah, i cili drejton qendrën, thotë se ata varen tërësisht nga kontribute private. Ndërsa lufta vazhdon, ai thotë se kontributet po bëhen çdo ditë e më të pakta ndërkohë që numri i refugjatëve rritet.

“Më vjen keq sepse, këtu kemi probleme shumë serioze. Probleme serioze dhe askush nuk po kujdeset për to. Për shembull, kemi shumë gra që nuk kanë asnjë lloj mbështetjeje.”

Pesë familje siriane po jetojnë në një ndërtesë të braktisur që ndodhet në të njëjtën rrugë. Kjo grua, e cila është larguar nga Damasku, thotë se 16 fëmijët në këtë shtëpi kanë ftohtë. Dhe akoma është verë në Liban.
Por ajo thotë se nuk kishin zgjidhje tjetër veç se të largoheshin.

Ajo dhe fqinjët e saj thonë se janë gjithashtu të shqetësuar se burimet e kufizuara për refugjatët në Liban në këtë zonë nuk do të mjaftojnë nëse do të vazhdojnë të vijnë njerëz.

Punonjësit e ndihmave thonë se më shumë njerëz kanë filluar të vijnë pasi presidenti amerikan Barack Obama deklaroi se ai synon të ndërmarrë sulme ajrore në Siri për të ndëshkuar regjimin pas një sulmi të dyshuar me armë kimike, i cili, sipas Shteteve të Bashkuara, vrau më shumë se 1400 persona muajin e kaluar.

“Ajo shtëpia atje, fqinji jonë, kur erdhën kishte një familje me pesë, ose gjashtë persona. Tani ne kemi 49 njerëz në këtë shtëpi. Të afërmit – kunati, motra, babai, e ëma – të gjithë jetojnë bashkë.”

Khaled Roushdi thotë se zyrtarët i janë përgjigjur shtimit të numrit të refugjatëve duke refuzuar disa prej tyre të kalojnë kufirin dhe se shumë fshatra në Bekaa tashmë kanë më shumë refugjatë se sa banorë.

Refugjatët thonë se kalimi i kufirit është i lehtë, por ata ankohen se gjithnjë e më shumë njerëzve tani po u refuzohet kalimi. Ata shpresojnë që të afërmit e tyre të vijnë së shpejti, para se të bëhet akoma më e vështirë.

Ndërsa refugjatët vazhdojnë të vijnë, ministrat e vendeve fqinje të Sirisë premtuan zyrtarisht kësaj jave se nuk do t’i mbyllnin kufinjtë. Por, së bashku me Kombet e Bashkuara, ata bënë thirrje për më shumë ndihmë ndërkombëtare.



XS
SM
MD
LG