Lidhje

Evropa, jo bujare me refugjatët sirianë


Sipas një raporti të ri, disa vende evropiane janë duke i kthyer mbrapsht azilkërkuesit sirianë dhe po u mohojnë atyre të drejtën e ligjshme për të fituar mbrojtje ndërkombëtare nga lufta dhe persekutimi. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Lisa Schlein njofton se Agjencia e Refugjatëve me seli në Gjenevë po i bën thirrje vendeve evropiane t'u vijnë në ndihmë refugjatëve që largohen nga konflikti në Siri:

Bazuar tek përfundimet e raportit të saj, Agjencia e Refugjatëve e OKB-së po i kërkon vendeve evropiane të sigurohen që refugjatët sirianë që hyjnë në territoret e tyre, të lejohen të kërkojnë atje strehim dhe t'i sigurohen kushte të mira jetese, deri në zgjidhjen e situatës së tyre.

Rreth 3 milionë refugjatë janë larguar nga Siria, që nga fillimi i luftës civile më tepër se tre vjet më parë. Vendet fqinjë ku ata kanë gjetur strehim, po ndeshen me vështirësi, ngaqë kujdesen për një numër shumë të madh refugjatësh. Ato kanë arritur pikën e ngopjes dhe tani hezitojnë të pranojnë më tepër njerëz.

Agjencia e OKB-së për Refugjatët thotë se një pasojë e kësaj gjendjeje shihet në rritjen e numrit të sirianëve, të cilët kërkojnë strehim përtej vendeve fqinjë të rajonit. Zëdhënësja e UNHCR-së, Melissa Fleming, thotë se shumë sirianë nisen në udhëtime të gjata dhe të rrezikshme për të arritur në vende të tjera dhe në disa raste për t'u bashkuar me familjet e tyre që jetojnë në Evropë.

Por ajo thotë se numri i sirianëve që kërkojnë strehim në Evropë mbetet i vogël:

"Në fakt, numri i tyre është i vogël. Ata përfaqësojnë vetëm 4 për qind të refugjatëve sirianë. Evropa ka një popullsi prej 670 millionë banorësh. Libani, me një popullsi prej 4.4 millionë banorësh, ka pranuar 1,1 million refugjatë sirianë. Kjo do të thotë se Libani ka pranuar 10 herë më tepër refugjatë se sa e gjithë Europa."

UNHCR njofton se që nga fillimi i konfliktit në Mars 2011, rreth 123,600 sirianë kanë kërkuar strehim në Europë. Shumica e këtyre azilkërkuesve janë përqëndruar në pak vende; Suedia dhe Gjermania kanë pranuar më tepër se gjysmën e të gjitha kërkesave të sirianëve për strehim.

Por zonja Fleming thotë se disa vende po i mbyllin kufijtë për refugjatët. Për shembull, thotë ajo, qindra sirianë nuk kanë mundur të hyjnë në Bullgari dhe në Spanjë.

Fleming thotë se një tjetër vend, Russia, i ka kthyer mbrapsht 12 refugjatë sirianë që kishin kërkuar atje strehim. Ajo thotë se është e papranueshme, cilatdo qofshin rrethanat, që të mbyllen kufijtë, të mos lejohen, apo deportohen njerëzit, të cilët mund të kenë kërkesë të ligjshme për strehim.

Agjencia OKB-së për Refugjatët thotë se Europa ka qenë tepër bujare në dhënien e ndihmave humanitare financiare për miliona refugjatë. Por, ajo nuk po tregohet bujare në pranimin e refugjatëve në vend dhe të kujdesin për ta.

Kjo praktikë thotë agjencia, duhet të ndryshojë. UNHCR po i bën thirrje vendeve evropiane të zbatojnë një plan gjithëpërfshirës për t'i ndihmuar refugjatët dhe për t'i ndihmuar refugjatët sirianë të gjejnë mënyra ligjore për të hyrë në Evropë.

XS
SM
MD
LG