Lidhje

Siri: Sulm me raketa i forcave të regjimit


Aktivistët thonë se forcat qeveritare siriane kanë sulmuar një lagje kryesore në Damask, duke bllokuar disa njerëz nën rrënoja.

Organizata siriane Vëzhguesi i të Drejtave të Njeriut me qendër në Britani thotë se forcat ushtarake bombarduan qarkun e Barzehut, ku mendohet se veprojnë kryengritësit që po përpiqen të rrëzojnë Presidentin Bashar al-Assad.

Agjencia e lajmeve Associatet Press njoftoi se disa persona kanë humbur jetën nga goditjet e raketave që shpërthyen në një zonë rezidenciale.

Siria nuk lejon gazetarë të huaj që të veprojnë në pjesën më të madhe të vendit, duke e bërë të vështirë konfirmimin e njoftimeve për dhunë.

Ndërsa kryengritësit kanë marrë nën kontroll zona kyçe të vendit, forcat ushtarake të zotit Assad vazhdojnë të kenë nën kontroll kryeqytetin.

Konflikti në Siri filloi në mars 2011, si protesta paqësore por është shkallëzuar në një luftë civile, që sipas Kombeve të Bashkuara ka shkaktuar vdekjen e 70 mijë vetëve.
XS
SM
MD
LG