Lidhje

Goditet ambasada ruse në Damask


Dy raketa goditën sot ambasadën e Rusisë në Damask, ndërkohë që qindra njerëz ishin mbledhur jashtë saj në shenjë mbështetjeje për fushatën ushtarake ruse në Siri. Ndërkohë, vazhdojnë përpjekjet e OKB-së për të arritur mirëkuptim drejt një procesi politik në Siri për dhënien fund të konfliktit.

Deri tani nuk ka patur njoftime për viktima në sulmin ndaj ambasadës së Rusisë në Siri. Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, e dënoi sulmin:

“Është një akt i qartë terrorist që synon të frikësojë ata që luftojnë kundër terrorizmit. Jemi duke hetuar së bashku me autoritetet siriane për të gjetur autorët.”

Ndërkohë, i dërguari i OKB-së për Sirinë, Staffan de Mistura, po zhvillon sot bisedime në Moskë, si pjesë e përpjekjeve për të arritur një mirëkuptim ndërmjet Rusisë dhe SHBA-së, si dhe një lëvizje drejt një proçesi politik në Siri.

“Është urgjente arritja fillimisht e një mirëkuptimi ndërmjet Rusisë dhe SHBA-së, dhe pastaj duhet të shtrihemi në planin rajonal. Ndryshe nuk do të ketë zgjidhje.”

Zoti de Mistura paralajmëroi për rrezikun e copëtimit të Sirisë. Përpjekjet e OKB-së për bisedime synojnë të përfshijnë në dialog Shtetet e Bashkuara, Rusinë, Arabinë Saudite, Iranin, Turqinë dhe vende të tjera nga rajoni.

XS
SM
MD
LG