Lidhje

Rusia dhe fuqitë perëndimore mbeten të ndara për Sirinë


Rusia dhe fuqitë perëndimore mbeten të ndara për çështjen se kush i ka përdorur armët kimike në sulmin e muajit të kaluar në Siri, por vazhdojnë bashkëpunimin rreth një rezolute për eliminimin e arsenalit kimik të Sirisë.

Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov tha sot se sulmi i muajit të kaluar pranë Damaskut ishte një “provokim” nga kryengritësit, që përpiqen të sigurojnë ndihma ushtarake nga jashtë.

Homologu i tij francez, Laurent Fabius, tha në një konference të përbashkët për shtyp pas takimit të tyre në Moskë, se faktet që u paraqitën në një raport të hetuesve të OKB-së duket se nuk lenë dyshime që armët kimikë u përdorën nga forcat siriane.

Zoti Lavrov, po ashtu u tha gazetarëve se të dy diplomatët kanë të njëjtat synime, për të vendosur paqen në Siri, por kanë ide të ndryshme lidhur me autorët e sulmeve.

Rusia po e kundërshton një kërkesë të Francës, Britanisë dhe Shteteve të Bashkuara, për të përfshirë në rezolutën e Kombeve të Bashkuara një kërcënim për përdorimin e forcës ndaj Sirisë, në se Damasku nuk bashkëpunon për çështjen e armëve kimike. Shtetet e Bashkuara dhe Britania thanë dje se duan një rezolutë të fuqishme, e cila të përcaktojë afate të sakta dhe detyruese për Sirinë, që ajo të heqë dore nga armët kimike të disponon.

Një raport i OKB-së i publikuar dje, citon “fakte të qarta dhe bindëse” se në sulmin e muajit të kaluar pranë Damaskut është përdorur në shkallë relativisht të gjerë gazi sarin.
XS
SM
MD
LG