Lidhje

Në Siri vazhdojnë përleshjet, sot 14 të vrarë


Vëzhguesit sirianë për të Drejtat e Njeriut thanë se ka patur bombardime në Hama, Homs, Aleppo, Dera, Deir Ezzor dhe në një lagje të Damaskut

Aktivistë në Siri thonë se forcat qeveritare u përleshën sot në mbarë vendin me forcat rebele, edhe pse Damasku i mohoi thëniet se forcat qeveritare kanë përdorur armatime të rënda dhe avionë luftarakë në përleshjet e javës së kaluar me forcat rebele në fshatin Trensheh.

Vëzhguesit sirianë për të Drejtat e Njeriut thanë se gjatë përleshjeve të së dielës janë vrarë të paktën 14 vetë. Ky grup i opozitës me bazë në Britani tha se ka patur bombardime në Hama, Homs, Aleppo, Dera, Deir Ezzor dhe në një lagje të Damaskut dhe ka publikuar në Facebook video nga përleshje të ditëve të mëparshme. Por videot dhe numri i viktimave nuk janë konfirmuar në mënyrë të pavarur.

Ndërkohë, një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme siriane tha se dhuna e së enjtes nuk ishte masakër, por një operacion që kishte në objektiv luftëtarë të armatosur dhe se armatimi më i fuqishëm i përdorur kishte qenë një raketë garnadahedhëse. Zyrtari sirian tha se në luftimet e së enjtes u vranë 39 vetë, mes tyre dy civilë.

Por aktivistët kanë thënë se numri i të vrarëve ishte mbi 200 vetë. Zëdhënësja e Kombeve të Bashkuara tha se sulmet duket se kishin patur objektiv shtëpitë e aktivistëve dhe dezertorët e ushtrisë. Ajo tha se dukej qartë se ishin përdorur armatime të fuqishme, gjë që përbën shkelje nga Siria të detyrimeve që burojnë nga rezolutat e OKB-së.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG