Lidhje

Bisedimet për paqen në Siri

  • Al Pessin

Bisedimet e paqes mes delegacioneve të qeverisë dhe opozitës siriane do të vazhdojnë sot në Gjenevë. Në këto bisedime që filluan të shtunën, vemendja është përqendruar sidomos te fakti se kush merr pjesë në to nga secili krah dhe cilat janë pozitat e negociatorëve.

Fakti që negociatorët u ulën në të njëjtën dhomë me ndërmjetësuesin e Kombeve të Bashkuara të shtunën, ishte një zhvillim i rëndësishëm pas më shumë se tre vjet luftë që ka sjellë 100 mijë të vrarë dhe miliona sirianë të zhvendosur.

Por megjithë dallimet për çështje të ndryshme dhe për atë se çfarë duhet biseduar, disa ekspertë thonë se përbërja e delegacioneve mund të jetë faktor me rëndësi.

Në krahun e opozitës, delegacioni prej 15 anëtarësh u formua vetëm një javë më parë dhe nëpërmjet kompromisit nga përfaqësuesit e 76 grupeve që nuk po e bojkotojnë procesin. 44 grupe refuzuan të marrin pjesë.

Alexandre Vautravers Qendrës së Gjenevëz për Politikat e Sigurisë thotë se raundi i parë i bisedimeve ka qënë pjesërisht eksplorues se kush do të përfaqësojë opozitën në të ardhmen.

“Ka mjaft mendime lidhur me këta persona e këto grupe. Sa përfaqësues janë atë? A do të jenë të aftë ata të arrijnë konsesus? Për mendimin tim me rëndësi është të shikohet se kush janë personat e respektuar, palët legjitime që komuniteti ndërkombëtar do të mbështesë”.

Shefi i delegacionit të opozitës është Ahmad al-Jarba, president i një koalicioni prej 120 anëtarësh. Hapësira e tij për t’u shmangur nga qendrimi për të cilin kanë rënë dakord grupet është e kufizuar për shkak të përbërjes së koalicionit të tij.

Kryenegociatori i tij është Hadi Barha, inxhinier i arsimuar në Shtetet e Bashkuara me pak përvojë në politikë dhe që nuk ka lidhje me ndonjë nga grupet e koalicionit. Anëtarët e tjerë përfshijnë një ish diplomat sirian, një gjeolog të ri që jeton në Britani, si dhe disa veprimtarë të të drejtave të njeriut, përfshirë edhe gra.

Mungesa e përvojës mes tyre dhe koha e pamjaftueshme për t’u organizuar e për të finalizuar qëndrimet shkaktoi vonesë në fillimin e bisedimeve të drejtpërdrejta.

Delegacioni qeveritar pritet të jetë më i bashkuar dhe më homogjen, por ka patur disa shenja se ai nuk është në mirëkuptim të plotë. Kryetari i delegacionit, ministri i Jashtëm Walid Moualem, mbajti një fjalim të ashpër në konferencën ndërkombëtare para bisedimeve, por më pas toni i tij u bë më pajtues.

Një anëtar i lartë i delegacionit të tij, ambasadori sirian në Kombet e Bashkuara, Bashar Jafari, i tha BBC-së se është “shumë shpejt” për të folur për dorëheqjen e Presidentit Bashar al-Assad, duke sinjalizuar kështu një shmangie nga qëndrimi i mëparshëm kur dorëheqja e tij ishte jashtë çdo diskutimi.

Alexandre Vautravers thotë se Shtetet e Bashkuara, Rusia dhe diplomatët e Kombeve të Bashkuara e kanë vërë re këtë.

“Komuniteti ndërkombëtar po dëgjon nga njerëz të ndryshëm të regjimit, nga ministria e Jashtëme, të cilët ndoshta janë më afër mundësisë për të hapur bisedime nga ana e regjimit”.

Kjo mund të jetë e rëndësishme, sepse siç vë në dukje Jeffrey White i Institutit të Uashingtonit për Studimet e Lindjes së Afërme, ky raund bisedimesh është vetëm fillimi.

“Nëse supozojmë se bisedimet nuk ndërpriten krejtësisht, atëherë do të zhvillohen raunde të tjera. Do të kemi Gjeneva 3, Gjeneva 4, Gjeneva 5 e kështu me radhë. Natyrisht që do të jetë mirë të krijohet një kuadër për diskutime të mëtejshme”.

Në skenar janë edhe Shtetet e Bashkuara dhe Rusia që mbështesin palët e ndryshme. Ekspertët thonë se as qeveria dhe as opozita nuk do të rezistojnë gjatë në fushëbetejën e Sirisë, ose në arenën e politikës ndërkombëtare pa mbështetjen e huaj.

Prandaj, megjithëse anëtarët e delegacioneve janë të rëndësishëm, ata janë të ndikueshëm nga presioni ndërkombëtar. Kjo mund të shpjegojë edhe faktin se përse gjendja ndryshoi ndjeshëm nga e premtja, kur u duk se nuk do të kishte bisedime të drejtpërdrejta, në ditën e shtunë, kur zyrtarët nisën të flasin për një javë të ngjeshur takimesh.
XS
SM
MD
LG