Lidhje

Në prag të bisedimeve për Sirinë


Koalicioni më i madh i opozitës siriane i mbështetur nga Perëndimi do të votojë sot për të marrë pjesë apo jo në bisedimet e paqes javën e ardhshme në Zvicër. Takimi i Koalicionit Kombëtar Sirian në Stamboll zhvillohet mes presionit të madh të Shteteve të Bashkuara që opozita të marrë pjesë në konferencë. Ndërkohë, ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov u takua sot me homologun e tij sirian në Moskë.

Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry tha dje se bisedimet “janë mundësia më e mirë për opozitën që të arrijë objektivat e popullit sirian dhe të revolucionit”.

"Kemi të bëjmë me krijimin e një procesi të rëndësishëm për krijimin e një qeverie kalimtare. Një proces i tillë është e vetmja mënyrë për t’i dhënë fund luftës civile, që ka shkaktuar një prej katastrofave më të rënda humanitare dhe ka krijuar rrethana për nxitjen e ekstremizmit”.

Ndërkohë sot, ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov takoi në Moskë homologun e tij sirian, Valid al-Moallem, për të diskutuar rreth perspektivave për t’i dhënë fund luftës në Siri.

Rusia ka qënë një përkrahës i rëndësishëm i Presidentit Bashar Assad dhe furnizues me armë i regjimit të tij gjatë konfliktit gati 3 vjeçar, që ka shkaktuar më shumë se 120 mijë të vrarë.

Perspektivat e zhvillimit të bisedimeve, të parat mes dy palëve ndërluftuese në Siri, që prej fillimit të konfliktit, janë të zymta, ndërsa secila palë nuk jep shenja kompromisi.
Ministri Lavrov tha se konferenca e paqes duhet të shënojë fillimin e një procesi të gjatë mes palëve të Sirisë dhe theksoi rëndësinë e pjesëmarrjes së të dyjave.

“Tani për tani, po bëhen disa manovra dhe përpjekje për të krijuar probleme dhe për ta bërë sa më të vështirë mundësinë e mbajtjes së konferencës. Në këtë fazë, gjëja më e rëndësishme është të bëhen plane të përbashkëta, të shkëmbehen mendime dhe të bëhet ç’është e mundur që të ndalen këto përpjekje”.

Deri tani, udhëheqësit e opozitës kanë refuzuar të marrin pjesë në bisedime, që fillojnë më 22 janar, pa një angazhim paraprak për dorëheqjen e Presidentit sirian, Bashar al-Assad.

Damasku ka rënë dakord të marrë pjesë, por është përpjekur ta kalojë fokusin nga formimi i një qeverie të re në luftën kundër atij që e quan terrorizëm.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG