Lidhje

SHBA dënon sulmin kundër një stacioni televiziv pro-qeveritar në Siri


Ekstremistët sulmuan zyrën qendrore të kanalit satelitor al-Ikbariya pranë Damaskut

Shtetet e Bashkuara kanë dënuar sulmin me pasoja vdekjeprurëse kundër një stacioni televiziv pro-qeveritar dhe thonë se shpresojnë që takimin e fuqive botërore në Gjenevë do të shënojnë një pikë kthesë në zgjidhjen e konfliktit 15 mujor në Siri.

Ekstremistët sulmuan zyrën qendrore të kanalit satelitor al-Ikbariya pranë Damaskut me automatikë dhe bomba dje para agimit, duke lënë të vrarë tre gazetarë dhe katër roje të sigurimit. Stacioni është privat, por mbështet fuqishëm qeverinë e Presidentit sirian, Bashar al-Assad. Ai rifilloi transmetimet pak pas sulmit.

Qeveria siriane fajësoi për sulmin “terroristë të armatosur”, një term që ajo e përdor për kryengritësit që përpiqen t’i japin fund sundimit 11 vjeçar të zotit Assad. Por komandantët e kryengritësve sirianë nuk kanë pranuar përgjegjesinë për sulmin, duke thënë se një njësi e rojes elite të Gardës Republikane që kishte dezertuar sulmoi stacionin.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Xhei Karni tha dje se Uashtingtoni “i dënon të gjitha aktet e dhunës, përfshirë edhe ato kundër elementëve pro regjimit”. Ai u bëri thirrje të gjitha palëve në konflikt të “ndërpresin aktet agresive”.

Grupi i të drejtave të njeriut me bazë në Britaninë e Madhe, Vëzhguesi Sirian, thotë se në luftimet e zhvilluara dje në gjithë Sirinë mbetën të vratë 80 vetë, më shumë se gjysma civilë. Aktivistët kanë thënë se numri i përgjithshëm i të vrarëve në konflikt ka shkuar në 100 në ditë gjatë javës së fundit, për shak të shtimit të sulmeve nga forcat e sigurimit të armatosura rëndë dhe kryengritësit me armë të lehta.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG