Lidhje

Bisedimet e Vjenës për Sirinë


Lufta pesë vjeçare në Siri është fokusi i diplomatëve sot në Vjenë ku 17 vende të Grupit Ndërkombëtar për Mbështetjen e Sirisë po takohen për të diskutuar mbi bisedimet e ngecura politike, vështirësitë në ruajtjen e armëpushimit si dhe rezultatet pozitive e negative në shpërndarjen e ndihës humanitare.

Përpara bisedimeve, ministri i jashtëm gjerman Frank-Walter Steinmeier foli për atë që diplomatët synojnë të arrijnë:

"Sot duam të krijojmë kushtet për një zbatim më të mirë të armëpushimit për të cilin është rënë dakord, në mënyrë që jo vetëm Aleppo por edhe zona të tjera që rrethojnë qytetin të qetësohen përsëri. Duhet të gjejmë përsëri rrugën për një proces politik. Negociatat në Gjenevë tani për tani janë pezulluar. Sot duam të tërheqim opozitën në bisedime përmes kushteve të përmirësuara të nevojshme për armëpushimin dhe shpërndarjen e ndihmave humanitare për të negociuar në Gjenevë me regjimin sirian mbi fillimin e një transformimi politik në Siri."

Shtetet e Bashkuara dhe Rusia po përpiqen të përdorin ndikimin e tyre për të bindur palët të zbatojnë marrëveshjen, ndërsa përpiqen gjithashtu të mbështesin bisedimet e paqes, ku deri tani është bërë pak përparim.

Të dyja vendet janë pjesë e grupit ndërkombëtar. Por ndërsa Rusia mbështet regjimin sirian, Shtetet e Bashkuara kanë mbështetur opozitën e moderuar.=

Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry dhe ministri i jashtëm rus Sergey Lavrov u takuan të hënën për të diskutuar mbi krizën në Siri. Agjencia ruse e lajmeve Interfax tha se nevoja për të ndërprerë rrugët e furnizimit të terroristëve në kufirin mes Sirisë dhe Turqisë ishte mes çështjeve të diskutuara.

Armëpushimi pritej ta bënte më të lehtë shpërndarjen e ndihmave tek sirianët në nevojë, veçanërisht ata në zonat e rrethuara nga rebelët apo forcat qeveritare.

Por OKB-ja dhe grupet humanitare kanë njoftuar për sulme mbi autokonolat e ndihmave dhe grabitje të tyre. Gjithashtu regjimi sirian ka bllokuar rrugët për në zonat e rrethuara.

XS
SM
MD
LG