Lidhje

Situata në Siri ende e pashpresë


Zyrtarë të ushtrisë dhe organeve amerikane të zbulimit po shtrojnë pyetjen nëse Rusia ka dëshirën apo kapacitetin për të bërë ndonjë gjë rreth krizës në rritje në Siri, duke akuzuar kështu Moskën për vazhdimin pafundësisht të katastrofës humanitare.

Akuzat vijnë ndësa ushtria siriane njoftoi një fushatë të re të enjten për të rimarrë zonat e mbajtura nga rebelët në qytetin verior Aleppo, duke shuar shpresat për rivendosjen e një armëpushimi dhe dërguar ndihma tek popullsia civile tashmë e rrënuar nga lufta civile pesë vjeçare.

Ndërkohë, “Grupi Ndërkombëtar që Mbështet Sirinë” u takua gjatë Asamblesë Vjetore të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork të enjten. Në mbyllje të takimit, Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov i bëri thirrje opozitës siriane që të ndërmarrë hapa drejt kompromisit.

“Do të punojmë për të siguruar vazhdimin e armëpushimit. Ka patur përpjekje nga disa kolegë që sugjerojnë se qeveria duhet të marrë hapa të njëanshëm, por ne këmbëngulim dhe kemi mbështetje nga të tjerët se opozita po ashtu duhet të ndërmarrë hapat e nevojshëm në atë mënyrë që të parandalojë forcat e grupeve Al-Nusra dhe ISIS që të shfrytëzojnë situatën. Mendoj se ka një pajtim të përbashkët në këtë drejtim por se detajet duhet të përpunohen.”

Takimi përfundoj pa asnjë marrëveshje. Një ndërmjetës i OKB e përshkroi takimin si “të gjatë, të vështirë, të mërzitshëm dhe zhgënjyes”.

Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry u tha gazetarëve se Uashingtoni do të vazhdojë nxitjen për një zgjidhje politike të negociuar të situatës në Siri.

“Nuk mund të jemi vetëm ne që përpiqemi të mbajmë hapur këtë portë. Rusia dhe regjimi sirian duhet të bëjnë pjesën e tyre ose nuk paqja nuk do të ketë shans. Tani pyetja shtrohet nëse mbetet ndonjë shans i vërtetë për të ecur përpara, sepse është e qartë se nuk mund të ecent më në të njëjtën rrugë. Kjo përpjekje gjithnjë është varur nga ajo që Rusia të ketë vullnetin dhe mundësinë, për të respektuar dhe zbatuar marrëveshjen me regjimin e Assadit dhe partnerët dhe kjo varet tek opozita dhe mbështetësit e saj që të jenë të gatëshëm të zbatojnë detyrimet e tyre.”

Një zyrtar amerikan i zbulimit i tha Zërit të Amerikës se Rusia mund të bëhet e besueshme në se vepron me mirëbesim për zbatimin e procesit politik, por ai shprehu dyshim se Moska do të bënte një gjë të tillë.

Duke folur në kushte anonimiteti, zyrtari theksoi se i vetmi rezultat i pranueshëm i zgjidhjes politike do të ishte largimi i presidentit Bashar al-Assad.

XS
SM
MD
LG