Lidhje

Grekët pasardhës refugjatësh mirëpresin sirianët


Ndërsa Greqia po përpiqet me vështirësi të menaxhojë refugjatët e bllokuar brenda territorit të saj, disa njerëz po përpiqen të bëjnë më shumë. Për një burrë që ka hapur shtëpinë e tij për një familje siriane, historia e refugjatëve e prek thellë. Vetë parardhësit e familjes mikpritëse kanë ardhur dikur në Athinë për t’iu larguar persekutimit.

Për lulishtarin Ammar Othman, këtu i kujtohen lulet për të cilat ai kujdesej në shtëpinë e tij përpara se t’i largohej luftës në Siri.

Në këtë rrethinë të Athinës, atij i është ofruar falas shtëpia, e cila është shndërruar kështu në një simbol të mikpritjes greke për personat në nevojë.

Ashtu si 50 mijë refugjatët e bllokuar tashmë në Greqi për shkak të kufijve të mbyllur, Ammar dhe familja e tij qëndronin në një kamp refugjatësh aty pranë.

“Ndjehem me fat, sidomos kur shikoj miqtë e mi pa strehë. Unë e kam një shtëpi dhe dëshiroj që të gjithë ta kenë një strehë.”

Godina është në pronësi të Adonis Tsangouris, i cili jeton dy kate më lart.

Kriza e refugjatëve i riktheu atij kujtimet e gjyshërve të tij që erdhën në Athinë për t’iu larguar persekutimit nga një qytet në Turqi në vitin 1922.

“Vendosëm se do të ishte gjë e mirë ta ofronim shtëpinë, në kujtim të gjyshërve tanë.”

Të zotët e shtëpisë shkojnë mirë me familjen Othman, të cilëve u pëlqen të eksplorojnë lagjen e tyre të re.

Programi që mundësoi bashkimin e tyre, i quajtur “Shtëpia e shpresës”, kërkon t’u ofrojë një nivel më të mirë jetese refugjatëve që presin për azil në Greqi ose për t’u zhvendosur gjetiu në Evropë.

Programi ka vendosur rreth 600 refugjatë në apartamente ose dhoma të dhuruara nga vendasit, duke u mundësuar një jetë më të mirë se në kampe.

“Atje ishte një turmë e rrëmujshme ku nuk mund të bëje asgjë. Nuk ishte mirë, si këtu në shtëpi.”

Por, pasiguria ekziston.

Sot, bashkëshortja e Ammer, Naheed, është e mërzitur dhe nuk do të shfaqet për kameran. Luftime të reja në qytetin e tyre të lindjes i ka detyruar të hulumtojnë nëpërmjet telefonave për të afërmit e tyre në Siri.

Me njerëz të tjerë që po u bashkohen, ata duhet të presin nëse do t’u lejohet të shkojnë diku tjetër në Evropë.

Organizata që ideoi programin “Shtëpia e shpresës” thotë se duhet bërë më shumë në Greqi në përgjigje të krizës.

“Hapat e ardhshëm duhet të jenë për një projekt më afatgjatë që do të integrojë këta njerëz në shoqëri.”

E ardhmja për refugjatët në Greqi është e paqarte. Por, të paktën në këtë shtëpi, ka shpresë.

XS
SM
MD
LG