Lidhje

Greqi: Refugjatët nuk zbresin nga autobuzët


Refugjatët e rinj sirianë që kanë mbërritur në strehat e vendosura në rajonet greke afër kufirit me Shqipërinë nuk pranojnë të zbresin nga autobuzët. Refugjatët e ardhur nga Kavalla dhe zona të tjera të Greqisë në Janinë kërkojnë të transferohen në kampe të tjera në zona të tjera të Greqisë për shkak të kushteve të vështira të jetesës në këtë zonë.

Sipas burimeve greke nga Janina rreth 200 refugjatë që mbërritën mbrëmjen e së enjtes në Kampin e Kacikas , në ish aeroportin e Janinës nuk hynë në strehimore ku ndodhen edhe mbi 1.000 refugjatë të tjerë të strehuar në çadra.

Kjo është hera e dytë në pak ditë që refugjatët e ardhur nga portet greke nuk pranojnë të hyjnë në këtë kamp të ngritur në një fushë të hapur dhe të prekur nga kushtet e këqija të motit ku refugjatë e tjerë jetojnë në kushte mjaft të vështira.

Refugjatët janë refuzuar edhe nga dy strehimoret e tjera në këtë rajon, njëra në Konicë dhe tjetra në Pogon, të cilat nuk kanë më kapacitete pritëse. Në Pogon , vetë banorët kanë kthyer pas autobuzë me refugjatë të ardhur nga portet greke duke bllokuar rrugën për në strehimoren e zonës së tyre.

Grupe banorësh të fshatit Doliana kanë këkruar që autoritete të mos sjellin refugjatë të rinj pasi nuk kanë mjedise për ti strehuar. Autoritetet greke zhvendosën javët e fundit në katër strehimore të Janinës dhe zonave të tjera kufitare me Shqipërinë rreth 3000 refugjatë sirianë. Zhvillimet në anë greke të kufirit po ndiqen me interesim dhe nga pala shqiptare pasi nëse prurjet e refugjatëve do të shtoheshin do të përbënin shqetësim dhe për tendenca të tyre në kalimin përmes Shqipërisë për në vendet e Bashkimit Europian.

XS
SM
MD
LG