Lidhje

Eurozona miraton paketën për Greqinë


Ministrat e Financave të Eurozonës miratuan paketën e kredisë për të ndihmuar Greqinë të dalë nga problemet financiare. Paketa ishte e domosdoshme për të paguar këstin e ardhshëm të borxhit që Greqia i detyrohet Bankës Qendrore Evropiane.

Shefi i Eurozonës, J. Dijsselbloem përshëndeti miratimin e paketës së kredisë nga ligjvënësit grekë mbrëmë. Pjesa e parë e paketës, tha ai do të përdoret për të paguar borxhin, ndërsa pjesa e dytë do të ndahet përgjysmë: 50% do të përdoret kundrejt borxhit, ndërsa pjesa tjetër mund të investohet nga Greqia.

Zoti Dijesslbloem vlerësoi vendimet e autoriteteve greke për shkurtime dhe masa të tjera shtrënguese që bënë të mundur arritjen e kësaj pakete, siç u shpreh ai.

Miratimi i paketës së shpëtimit, pas një seance maratonë në parlamentin grek, ndonëse kaloi me lehtësi, nxori në pah përçarje të thella në partinë Syriza të kryeministrit Tsipras.

Kryeministri u përball me rebelimin më të madh deri tani nga ligjvënësit e tij të majtë, ndërsa parlamenti miratoi programin e ri të shpëtimit të premten, duke e detyruar atë të konsideronte edhe një votëbesim për qeverinë, ç’ka do të hapte rrugën për zgjedhje të parakohshme.

Pasi ligjvënësit debatuan gjatë natës mbi çështje proceduriale, parlamenti miratoi pa problem ndihmën e tretë financiare nga kreditorët e huaj në pesë vjet, falë mbështetjes nga partitë pro-evropiane të opozitës.

Miratimi përfundimtar edhe nga Eurozona do t’i hapte rrugën dërgimit të këstit të parë të huasë së re prej 85 miliardë eurosh, ndonëse kreditori kryesor, Gjermania ende ka dyshime të thella nëse Athina do t’i përbushë detyrimet e saj.

Votimi i sotëm pasqyroi zemërimin e thellë brenda partisë Syriza ndaj masave shtrënguese ndërsa 43 ligjvënës – ose gati një e treta e deputetëve të Syrizës – votuan kundër marrëveshjes ose abstenuan.

"Sot patëm një shumicë të madhe që votoi në favor të marrëveshjes së huasë, por patëm gjithashtu një numër të madh ligjvënësish që zgjodhën një rrugë tjetër. Ashtu siç tha edhe kryeministri gjatë fjalimit të tij, çdo gjë që duhet bërë do të vihet në lëvizje”, tha zëdhënësja e qeverisë Olga Gerovassili.​

Thanassis Papachristopoulos me partinë Grekët e Pvarur mendon se marrëveshja do të mbijetojë.

"Besojmë se kryeministri nuk ka një mandat as për shkëputje nga BE-ja as për të shkuar përsëri tek dhramia. Ne besojmë se marrëveshja do të mbijetojë."

Ligjvënësja e PASOK-ut Efi Christofilopoulou pret që partia Syriza të përçahet.

"Ata po përçahen dhe do të përçahen më tej. Ne duhet të krijojmë një ambjent disi të qëndrueshëm politik në mënyrë që qeveria të përmbush detyrimet e saj. Dhe në se do të jetë e nevojshme, zgjedhjet”.

Zyrtarët qeveritarë thonë se zoti Tsipras pritet të kërkojë një votbesim në parlament pasi Greqia të bëjë pagesën e borxhit ndaj Bankës Qendrore Evropiane më 20 gusht – një lëvizje e rrezikshme që mund të çojë në rrëzimin e qeverisë së tij dhe zgjedhje të parakohshme.

Një ligjvenës i rëndësishëm i partisë Demokracia e Re tha se partia e tij nuk ka për të mbështetur qeverinë në rast të një votëbesimi në parlament.

Por disa prej atyre që e kundërshtuan kryeministrin Tsipras në votimin e sotëm, mund ta mbështesin gjatë votëbesimit, ashtu siç mund ta mbështesin edhe partitë e tjera pro-evropiane si Potami dhe PAsoku, duke e bërë të pasigurtë rezultatin e votëbesismit të qeverisë së tij.

Tani dokumenti pret votën e ministrave të Eurozonës.

XS
SM
MD
LG