Lidhje

SHBA, grumbullimi i tabulateve ngjall debate


Qeveria amerikane mori në mbrojtje praktikën e mbledhjes në masë të informacioneve mbi tabulatet e klientëve të kompanive telefonike

Qeveria amerikane mori në mbrojtje praktikën e grumbullimit në masë të informacioneve mbi tabulatet telefonike, pas një njoftimi në shtyp, sipas të cilit Agjencia e Sigurisë Kombëtare po mbledh tabulate të miliona amerikanëve.

Dje, gazeta britanike The Guardian publikoi një urdhër të fshehtë gjykate të dhënë në muajin prill, i cili miratonte grumbullimin e tabulateve nga ana e Agjencisë së Sigurimit Kombëtar.

Një zyrtar i lartë i administratës, duke komentuar me kusht që të mos identifikohej, tha se kjo praktikë është "një mjet me rëndësi të madhe për mbrojtjen e vendit nga kërcënimet terroriste".

Zyrtari tha se kjo praktikë lejon ekspertët e antiterrorizmit të përcaktojnë nëse terroristë të njohur apo të dyshuar kanë patur kontakte me njerëz që mund të jenë angazhuar në veprime terroriste.

Dje, gazeta britanike Guardian publikoi një urdhër të fshehtë gjykate të dhënë në muajin prill, i cili miratonte grumbullimin e tabulateve nga ana e Agjencisë së Sigurimit Kombëtar.

Urdhëri i kërkon një filialeje të kompanisë Verizon, të dorëzojë çdo ditë të gjitha tabulatet, si për telefonatat brenda Shteteve të Bashkuara ashtu edhe për ato mes Amerikës dhe vendeve të tjera. Nuk rezulton që urdhëri i gjykatës të kërkojë informacione edhe mbi përmbajtjen e bisedave.

Kjo praktikë po bëhet objekt kritikash nga ana e organizatave të lirive civile, të cilat kundërshtojnë kompetencat e gjera që ligji amerikan u jep agjencive të rendit për të kryer përgjime elektronike.

Një zyrtar i Bashkimit Amerikan të Lirive Civile tha se një praktikë e tillë është tepër alarmuese dhe se njerëz të pafajshëm janë vënë nën përgjimin e vazhdueshëm të qeverisë.

Njoftimet thonë se urdhëri i gjykatës bazohet në nenin 215 të ligjit mbi përgjimet brenda vendit, i njohur si Akti Patriot, i cili ka qenë objekt debatesh. Ky nen ua bën më të lehtë agjencive amerikane të zbulimit të grumbullojnë tabulatet e bizneseve.

Ligji Patriot hyri në fuqi menjëherë pas sulmeve të al-Kaidës kundër Shteteve të Bashkuara në 11 shtator 2001 dhe qëllimi i tij ishte t'u jepte më shumë kompetenca agjencive amerikane të rendit për të ndjekur personat e dyshuar si terroristë.

Në vitin 2011, Presidenti Barak Obama nënshkroi zgjatjen për katër vjet të dispozitave të ligjit, duke përfshirë edhe ato që lejojnë autoritetet të kryejnë përgjime elektronike.
XS
SM
MD
LG