Lidhje

Denoncim për evazion ndaj Rezar Taçit


Sipërmarrësi dhe familjarë të tij janë kallëzuar në Prokurori nga policia për mospagim të detyrimeve ndaj shtetit dhe dyshime për mashtrime apo falsifikime

Në Shqipëri, sipërmarrësi Rezar Taçi, i njohur për veprimtarinë e tij në fushën e naftës dhe karburanteve, si dhe disa familjarë e bashkëpunëtorë të tij, janë denoncuar pas një hetimit të drejtorisë së krimit ekonomik të policisë, pasi dyshohen për evazion fiskal, mashtrim dhe falsifikim dokumentash, për vlera disa miliona eurosh

Në dosjen e cila i është paraqitur prokurorisë janë përfshirë një sërë dokumentash nga Drejtoria e Doganave dhe ajo e Tatimeve ku bëhet fjalë për veprimtarinë e disa kompanive të zotëruara nga sipermarrësi Taçi, për të cilat shtetit nuk i janë paguar detyrimet fiskale.

Po ashtu hetimi i policisë thekson se organet tatimore nuk kanë kryer kontrollin e plotë të të gjitha subjekteve që kontrolloheshin prej sipërmarrësit apo personat e lidhur me të, dhe nuk kanë marrë masat ligjore për të penguar transferimin e aksioneve të këtyre shoqërive debitore tek aksionerë të tjerë. Sipas denoncimit, ka dyshime se numri i madh i kompanive të themeluara nga sipërmarrësi Taçi, të cilat vepronin në të njëjtën fushë, atë të karburanteve, dhe kryerja e transaksioneve të shpeshta financiare e bankare mes tyre mund të jetë bërë me qëllim mashtrimin me TVSH-në dhe fshehjen e të ardhurave.

Sipërmarrësi Taçi dhe familjarët e tij po ashtu kanë kryer lëvizje bankare me para në dorë në vlera të mëdha ndërkohë që sipas hetimit “nuk ekzistojnë transaksione bankare dhe kontrata noteriale që të justifikojnë qëllimin e përdorimit të këtyre fondeve, për periudhën pas tërheqjes së tyre”.

Emri i sipërmarrësit Rezar Taçi u bë i njohur në mesin e viteve 2000, kryesisht për shkak të akuzave publike të kryetarit të atëhershëm të opozitës së djathtë Sali Berisha, se ai ishte ndër kontrabandistët kryesorë të naftës. Akuza, të cilat nuk u përmendën pas vitit 2005 kur demokratët erdhën në pushtet, përkundrazi zoti Taçi e zgjeroi aktivitetin dhe në 2008 ai do të privatizonte ARMO-n, ndërmarrjen shtetërore të rafinimit të naftës. Procesi u shoqërua me hije të forta dyshimi, duke qenë se fillimisht kompania që bleu ARMO-n u prezantua si një konsorcium zvicerano-amerikan.

Sot privatizimi i ARMO-s konsiderohet një dështim. Pak muaj më parë ndërmarrja ju shit një kompanie azere. Me të njejtën skemë si në rastin e ARMO-s sipërmarrësi Taçi u shfaq dhe në privatizimin e Albpetrolit duke ofruar 850 milion euro. Ky proces dështoi, pasi në këtë rast zoti Taçi nuk mundi të tregojë se i kishte burimet financiare. Ai nuk arriti të paguante një garanci prej 85 milion eurosh, të cilat ende sot mungojnë në arkën e shtetit.
XS
SM
MD
LG