Lidhje

Ish Ministri i Arsimit nën akuzë


Prokuroria e Përgjithshme mbyll hetimet dhe con në Gjykatën e lartë zotin Myqerem Tafaj për “Shpërdorim detyre”. Ish ministri: Vendimi nën trysninë e qeverisë

Në Shqipëri, Prokuroria e Përgjithshme njoftoi sot se ka përfunduar hetimet ndaj ish-ministrit të Arsimit dhe Shkencës, Myqerem Tafaj, aktualisht deputet i partisë demokratike dhe ka dërguar kërkesën për gjykim në Gjykatën e Lartë. Ndaj zotit Tafaj, rëndon akuza për “Shpërdorim të detyrës”.

Sipas Prokurorisë, ish ministri “ka vendosur hapjen e programeve mësimore të një shkolle të lartë private, aktualisht e mbyllur, në kundërshtim me atë që ka vendosur Këshilli i Akreditimit. Për Prokurorinë e Përgjithshme, ky veprim i tij është kryer me dashje të drejtëpërdrejtë, pasi edhe pse ka patur një detyrim ligjor për ta respektuar, edhe pse vlerësimi i dhënë nga institucioni kompetent ishte i qartë (vlerësim negativ), ai ka vendosur hapjen e tyre në mënyre të kundraligjshme”.

Sipas Prokurorisë “veprimet e kryera nga ana e të pandehurit Myqerem Tafaj kanë sjellë për rrjedhojë hapjen e programeve mësimore, të cilat nuk janë në përputhje me kriteret ligjore të përcaktuara në ligj dhe aktet nënligjore, për Arsimin e Lartë në Republikën e Shqipërisë”.

Zoti Tafaj reagoi përmes një deklarate, ku theksonte se”vendimi i marrë nga Prokuroria Përgjithshme është i padrejtë dhe, si i tillë, duket se është marrë nën presionin e Qeverisë”. Duke hedhur poshtë akuzat, ai nënvizon se “mbështes fuqimisht zbatimin e ligjit dhe luftën kundër pandëshkueshmërisë, por sigurisht nuk mund të pranoj fushata apo vendime për 'prerje kokash' për hir të luftës politike të qeverisë ndaj opozitës, apo thjesht për hir të statistikave”, përfundon reagimi i ish ministrit të Arsimit.

XS
SM
MD
LG