Lidhje

Padia për 21 Janarin, Basha: Shpifje të vjetra


Kryetari i opozitës, reagon ndaj akuzave të djeshme të ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, sipas të cilit zoti Basha, në ngjarjet e 21 Janarit 2011, në cilësinë e ministrit të Brendshëm kishte dhënë urdhëra të paligjshëm

Kryetari i opozitës Lulzim Basha i cilësoi sot “shpifje dhe akuza të lodhura e të vjetra të planifikuesve të dhunës ndaj institucioneve, të të njëjtëve që sot kanë kriminalizuar institucionet”, deklarimet e djeshme të ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri i cili njoftoi se ndaj ish ministrit Lulzim Basha është ngritur një padi për “Shpërdorim detyre” lidhur me ngjarjet e 21 Janarit 2011, ku gjatë një proteste të dhunshme të opozitës së atëhershme, mbetën të vrarë katër demonstruesë.

“Ajo e djeshmja nuk është tjetër veçse një përpjekje e dështuar me një qëllim, që shqiptarët të harrojnë se Edi Rama dje jo vetëm dështoi të mbante premtimin por në mënyrë kriminale, kur ne i dhamë shansin e dytë të mbante këtë premtim, e shkeli për herë të dytë, duke shkelur e poshtëruar shqiptarët për çmimin e energjisë dhe dje pranoi ta mbajë çmimin e naftës më të lartin në rajon, duke mos pranuar amendamentin tonë për heqjen e taksës që ai e shtoi me 240 lekë për liter”, deklaroi zoti Basha.

Ministri Tahiri, tha dje në parlament se nga inspektimi i dokumentacionit në Gardën e Republikës, ditën e ngjarjes, janë vënë re falsifikime të dy urdhërave, njëri i lëshuar nga ish ministri Basha dhe tjetri nga ish komandanti i gardës Ndrea Prendi.

“Konkretisht, nga këqyrja e Librit të marrjes në dorëzim të shërbimit, nr. 19/04, në faqen e fletës nr. 129, të datës 21 janar 2011, rezulton i pasqyruar me shënim, nga operatori i shërbimit, një urdhër i dhënë nga Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, ora 16:28, me përmbajtjen, citoj: “Komunikoni me Gjeneralin dhe të ngrihet helikopteri dhe të hedhë lëndë lakrimogjene mbi demostruesit tek Piramida”.

Kjo frazë është e korrigjuar,pra, e falsifikuar” deklaroi ministri Tahiri. “Para korrigjimit ka qenë shkruar: “Komunikoni me Gjeneralin dhe të ngrihet helikopteri dhe të hedhë lëndë homogjene mbi demostruesit tek Piramida”, u shpreh ai. Sipas tij, zoti Basha është përgjegjës sepse “ka dhënë një urdhër haptazi të kundra-ligjshëm pasi nuk është kurrkund në kompetencën e Ministrit, drejtimi operacional dhe aq më tepër përdorimi i lëndëve kimike ndaj protestuesve”.

Ndërhyrja e dytë në dokumenta, sipas ministrit Tahiri gjendet “në faqen e dytë të Librit të Shërbimit, në faqen 128, datë 21 janar 2011, rezulton i pasqyruar në librin e shërbimit, shënimi i mëposhtëm: “Urdhërdhënësi: Gjenerali. Ora 14:54. Urdhëri: Asnjë lloj zjarri pa zbatuar ligjin kundër demostruesve”. Rezulton me sy të lirë, por që pritet të konfirmohet nga analizat dhe hetimi i Prokurorisë që edhe kjo frazë është e korrigjuar me mbishkrim. Dhe para korrigjimit kjo frazë ka qenë e shkruar: “Asnjë lloj zjarri pa dhënë urdhër” dhe më pas kësaj fraze i është shtuar: “Kundër demostruesve, pa zbatuar ligjin”, deklaroi ministri Tahiri. Për këtë rast Ministria e Brendshme akuzon një ushtarak të nivelit specialist në Gardën e Republikës. Zoti Tahiri tha se shpresonte “që Prokuroria, këtij hetimi t’i shkojë deri në fund, sepse për 21 janarin duhet të ketë patjetër përgjegjës për 4 jetët e humbura”

Ish kryeministri Sali Berisha duke ju përgjigjur ministrit i konsideroi deklaratat e tij si “skenar filmi i sigurimit të shtetit. Në vitin 1999-2000 këta më hoqën mua imunitetin me një shishe. Prokurori i tyre nxorri një shishe dhe tha se me këtë homogjen Berisha do të helmonte popullatën. Shkuan gazetarët dhe e panë që ajo ishte pije. Kanë gjetur këtë tani për të akuzuar Lulzim Bashën”, deklaroi zoti Berisha.

Për ngjarjet e 21 Janarit ka vetëm dy persona të akuzuar: ish komandanti i Gardës Ndrea Prendi dhe ish drejtuesi i njësive speciale Agim Llupo. Ndonëse për ta prokuroria kërkoi nga 23 deri 25 vite burg, gjykata e Apelit, i dënoi për vrasje aksidentale me disa muaj deri 1 vit burgim, ndërkohë që më parë ajo e Tiranës i kishte shfajësuar. Procesi i 21 janarit është tani në dyert e Gjykatës së Lartë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG