Lidhje

PD reagoi ndaj ndryshimeve masive në polici


Ish zv/ministri i Brendshëm Arben Ristani: Shumë nga emërimet janë në kundërshtim me ligjin, përfshirë drejtorin e ri të Përgjithshëm Artan Didi

Në Tiranë Partia Demokratike reagoi ashpër ndaj lëvizjeve masive të një dite më parë në nivelet më të larta drejtuese të policisë mes të tjerash edhe largimin e Drejtorit të Përgjithshëm, Hysni Burgaj.

Deputeti demokrat, ish zëvendësministri i Brendshëm Arben Ristani tha sot se shumë nga emërimet janë bërë në kundërshtim me ligjin, përfshirë këtu drejtorin e ri të Përgjithshëm Artan Didi, i cili sot bëri betimin. Sipas opozitës, zoti Didi nuk plotëson disa kritere, veçanërisht detyrimin për një eksperiencë prej 16 vitesh në polici.

Po kështu zoti Ristani tha se në shkelje të rregullave është bërë edhe emërimi i dy zëvendësdrejtorëve të përgjithshëm. Ndërsa për disa prej drejtuesve të qarqeve të rikthyer në radhët e policisë, opozita thotë se ata ishin shkarkuar më parë, jo vetëm për dobësi, disa që në kohën e socialistëve, por edhe për shkak të dyshimeve për lidhjet e tyre me botën e krimit.

Sipas demokratëve lëvizjet e djeshme janë një ndëshkim kolektiv ndaj atyre që goditën bandat e lidhura sipas tyre më të majtët.

Së bashku me emërimet e drejtuesve të rinj thuajse në të gjithë nivelet e larta të policisë, ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, miratoi edhe një strukturë të re të saj me qëllim për të forcuar punën dhe praninë e policisë në terren.

XS
SM
MD
LG