Lidhje

Tailandë, opozita vazhdon protestat


Një gjykatë në Tajlandë paralajmëroi qeverinë të mos përdorë forcën kundër protestuesve, një ditë pasi përleshjet me policinë lanë të vrarë pesë persona. Por po sot, Gjykata Civile hodhi poshtë kërkesën e opozitës për të anuluar një dekret emergjent 60 ditor, i miratuar në fund të janarit. Qeveria e përdori dekretin për të arrestuar udhëheqës të lartë të protestave dhe për të shpërndarë disa kampe protestuesish në Bankok. Por opozita po i vazhdon demonstratat.

Forcat e sigurisë qëndruan në gadishmëri, ndërsa protestuesit e opozitës u mblodhën sot përsëri përpara zyrës së përkohshme të kryeministres në Bankok. Tre protestues dhe një polic humbën jetën ndërsa rreth 60 njerëz të tjerë u plagosën dje, ndërsa policia largoi pjesëmarrësit e një proteste pranë një ndërtese qeveritare.
Udhëheqësi i protestës, Suthep Thaugsuban u zotua të vazhdojë presionin ndaj zonjës Yingluck, për të cilën ai thotë se mban përgjegjësi për përdorimin e dhunës "së tepruar dhe të panevojshme" nga policia.

“Kudo që të shkojë zonja Yingluck, ne do ta ndjekim dhe do të luftojmë çdo ditë për largimin e saj nga pushteti. Do të protestojmë çdo ditë dhe kudo që ajo të shkojë deri sa të mos jenë në gjendje të jetojë në vend, sepse ajo është vrasëse”.

Kundërshtarët e zonjës Yingluck thonë se qeveria e saj është e korruptuar dhe kontrollohet nga vëllai i saj miliarder, ish kryeministri në mërgim, Thaksin Shinawatra. Pretendimet e tyre morën një vrull të ri dje kur Komisioni Kombëtar Anti-korrupsion tha se kryeministrja duhet të përballet me akuza për korrupsion.
Në një fjalim të transmetuar në gjithë vendin në televizion, pas njoftimit të vendimit, kryeministrja Yingluck tha se akuzat ishin politikisht të motivuara.

"Shpreh keqardhje dhe u kërkoj ndjesë fermerëve, të cilët po përdoren. Ata janë pengje në situatën e krijuar dhe që ka bërë që qeveria të mos jetë në gjendje të funksionojë si duhet”.

Zonjës Yingluck i është dhënë urdhër t’u përgjigjet akuzave të ngritura kundër saj javën e ardhshme.
XS
SM
MD
LG