Lidhje

Taivani lejon projektin e një afaristi kinez


Tajvani i ka dhënë lejen e ndërtimit biznesmenit të parë nga rivalja e tij politike Kina për të filluar një projekt tregëtar. Qeveria e ishullit zakonisht i ndalon zhvilluesit privatë kinezë të bëjnë projekte të tilla, me argumentin se rrezikohet siguria e vendit, megjithëse investitorët nga Kina mund të konkurrojnë për projekte të tjera. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Ralph Jennings njofton nga Taipei sesi Kompania Imobiliare Pekin Vantone arriti të sigurojë një përjashtim të tillë të rrallë.

Beijing Vantone që njihet për projekte banesash luksoze në Kinë po ndërton dy godina të larta 29 katëshe me pamje nga oqeani. Firma po punon me një kompani lokale për një projekt prej 8.6 milionë dollarësh pranë Taipeit deri në vitin 2014, pasi mori liçensa para më shumë se një viti. Themeluesi dhe kreu i firmës Vantone, Feng Lun, e zgjodhi këtë vend sepse mendonte se do të ishte tërheqës për kinezët nga e gjithë bota. Kidd Lin është menaxher shitjesh për projektin që njihet si Vantone Taipei 2011.

“Kreu i kompanisë mendon se Taivani është vendi më i përshtatshëm për ata që kanë prejardhje etnike kineze. Së pari, është sistemi mjekësor dhe stabiliteti politik dhe përmasat e hapjes. Presidenti gjithmonë ka dashur të bëjë biznes në Taivan".

Menaxheri i shitjeve thotë se Vantone e ndërtoi kompaninë në Singapor dhe përdori atë emër në aplikimin që paraqiti në qeverinë e Taipeit të Ri. Një zyrtare e bashkisë për ndërtimin tha se departamenti i saj nuk ishte i detyruar të kontrollonte nëse Vantone kishte mbështetjen e fondeve kineze.

Kina dhe Taivani kanë qeverisje të ndryshme që nga koha e luftës civile e viteve 1940, kur nacionalistët e Chiang Kai-shekut humbën ndaj komunistëve dhe e zhvendosën qeverisjen e tyre në ishull. Që atëherë Kina ka pretenduar se ka sovranitet mbi Taivanin që vetëqeveriset, duke sjellë si rezultat ndalimin e investimeve kineze në Taivan.

Por marrëdhëniet filluan të zbuten në vitin 2008 nën presidentin Ma Ying-jeou të Taivanit dhe që atëherë ishulli ka lejuar investimet nga Kina për 404 sektorë.

Komisioni i Tajvanit për Investimet thotë se ndërtimet private janë të ndaluara për kinezët nga Kina. Një nga shqetësimet është siguria ndërsa një tjetër është konkurrenca me firmat lokale. Banorët tajvanezë shqetësohen gjithashtu për hapjen e ishullit ndaj kompanive të pasura kineze që do të spekullonin me tregun dhe do të sillnin rritjen e çmimeve.

Por Taivani lejon investitorët kinezë të konkurrojnë për 43 tipe projektesh publike. George Tsai, ekspert i shkencave politike në Universitetin Kulturor Kinez thotë se Taivani shpreson që fuqia ekonomike nga ana tjetër e ngushticës të bëjë më shumë.

“Nëse investimet nga Kina nuk janë për përfitime afatshkurtra, nuk janë për spekullime për përfitime, atëherë mendoj se investimi duhet trajtuar si cdo investim i huaj”.

Vantone dhe partneri i tij tajvanez Southern Land Development Company po punojnë gjithashtu për një projekt 4 mijë metra katrorë që përfshin një bar, një zone lojrash për fëmijët dhe një ambjent për t’u zhytur në ujë të ngrohtë që përdor gjeologjinë natyrale të vendit buzë malit. Pjesa më e madhe e njërës godinë do të rezervohet për apartamente për t’u dhënë me qera të shkurtër. Vantone thotë se deri tani ka shitur 70 për qind të apartamenteve, të gjitha të blera nga kinezë nga e gjithë bota.
XS
SM
MD
LG