Lidhje

Protestat paralizojnë Bankokun


Në kryeqytetin e Tailandës, dhjetra mijëra protestues anti qeveritarë bllokuan udhëkryqet kryesore, urrat dhe rrugët si pjesë e një fushate për të detyruar dorëheqjen e qeverisë para zgjedhjeve të 2 shkurtit. Në ditën e parë të fushatës së quajtur “Bllokimi i Bankokut”, protestuesit entuziastë po bënin përgatitjet për një ballafaqim të zgjatur.

Qendra komerciale e Bankokut u përfshi nga protestues që valvitnin flamurë, duke filluar nga mbrëmë kur organizatorët ngritën skena dhe sisteme audio në qendrat e manifestimit në mbarë qytetin.

Njerëzit e mbledhur këtu e shikojnë bllokimin e qytetit si masën e fundit për të detyruar largimin e një qeverie të korruptuar. Ravit Sriwilai erdhi nga provinca e afërt Samut Prakan për të marrë pjesë në protestë.

“Ne erdhëm këtu për të treguar se qeveria nuk ka legjitimitet për të drejtuar vendin dhe duhen reforma para zgjedhjeve. Në të kaluarën ka pasur shumë korrupsion”.

Personalitete të njohura të jetës, si dhe politikanë, mes tyre ish kryeministri Abhisit Vejjajiva dhe udhëheqës të tjerë të opozitës, u pritën me brohoritje nga grumbulli i njerëzve të etur për të dërguar një mesazh se qeveria ka dështuar dhe se zgjedhjet nuk do të zgjidhin problemin.

Ndërsa ky qëndrim është pritur me skepticizëm nga shumë njerëz që thonë se demonstruesit po dëmtojnë demokracinë e Tailandës, protestuesja Jiravadee Kanamoto thotë se një votim tjetër thjeshtë do të ruajë status kuonë.

“Ne duam zgjedhje po jo tani. Vendi ynë nuk është gati për zgjedhje dhe nëse mbahen ato nuk do të jenë të drejta dhe të njëjtit njerëz do të vijnë përsëri në pushtet”.

Nuk është e qartë nëse protestuesit do të jenë në gjendje të vazhdojnë të tërheqin njerëz në protesta deri në ditën e zgjedhjeve të 2 shkurtit, por ata janë të organizuar dhe të përgatitur.

Shitësit sezonalë shesin bluza me temë protestën dhe sende të tjera me ngjyrat e flamurin tailandez. Rojet e sigurisë ndihmojnë në ruajtjen e rendit, ndërkohë që përgatitet ushqim falas për mijëra njerëz që qëndrojnë në qendrat kryesore të protestës.

Ndërsa mijëra njerëz kanë dalë nëpër rrugë të përfshirë nga shumë emocione, siguria vazhdon të jetë shqetësim kryesor. Rreth 18 mijë forca policore dhe ushtarake janë dislokuar për të ruajtur paqen dhe për të mbrojtur ndërtesat qeveritare. Por të shtënat sporadike kanë shkaktuar vrasjen e 8 personave dhe plagosjen e dhjetra të tjerëve, që prej fillimit të protestave nga fundi i vitit të kaluar.

Ushtria e Tailandës u ka bërë thirrje të gjitha palëve që të ruajnë qetësinë, por pas 18 grusht shteteve në 81 vjetët e kaluara, mundësia e një grusht shteti tjetër nuk mund të eliminohet.
XS
SM
MD
LG