Lidhje

Shkallëzohet dhuna politike në Tajlandë


Në Tajlandë luftime të reja mes policisë dhe protestuesve anti-qeveritarë shkaktuan dje vdekjen e të paktën një polici dhe plagosjen e dhjetëra të tjerëve. Dhuna bëri që komisioni zgjedhor të kërkonte shtyrjen e zgjedhjeve të 2 shkurtit, por qeveria tha se shtyrja do të sillte akte të mëtejshme dhune.

Protestuesit, të udhëhequr nga grupe studentore, sulmuan një stadium në Bankok ku zyrtarët po regjistronin kandidatët për zgjedhje. Policia reagoi me gaz lotësjellës dhe plumba gome.

Komisioni Tajlandez i Zgjedhjeve nxori një deklaratë me paralajmërimin se dhuna mund të shkallëzohej nëse qeveria nuk ndërron datën e zgjedhjeve të 2 shkurtit. Kryeministrja Yingluck Shinawatra më parë i kishte hedhur poshtë thirrjet për të shtyrë votimet. Ajo njoftoi zgjedhje të parakohëshme pas protestave që bënin thirrje për dorëheqjen e saj dhe dorëzimin e pushtetit një këshilli të emëruar.

Ekonomisti Somphob Manarangsang thotë se duket që nuk ka shumë alternativa për të zbutur ngërçin politik:

"E dimë se situata do të acarohet më tej dhe do të ketë alternativa tepër të kufizuara. E shohim si është situata sot, nuk është e vështirë të imagjinojmë se si do të jenë rrethanat para zgjedhjeve, apo në ditën e zgjedhjeve”.

Afro 30 parti janë regjistruar për zgjedhje, pavarësisht nga protestat. Por Partia Demokratike e opozitës po i bojkoton votimet, duke thënë se nevojiten reforma politike dhe zgjedhore para zhvillimit të zgjedhjeve.

Udhëheqësi i partisë Abhisit Vejjajiva thotë se votimet nuk do të eliminojnë përçarjen politike në vend:

"Problemi që hasim aktualisht me zgjedhjet e 2 shkurtit është se njerëzit nuk kanë më besim te partitë politike dhe mendojnë se zgjedhjet nuk do të jenë as të drejta as të besueshme dhe se rezultatet nuk do të pranohen nga asnjëra palë, pavarësisht kush fiton”.

Të mërkurën, kryeministrja Yingluck Shinawatra u përpoq t’u përgjigjej thirrjeve për reforma duke njoftuar krijimin e Këshillit Kombëtar për Reforma. Ky këshill do të përbëhej nga 2000 përfaqësues që do të zgjidheshin nga profesione të ndryshme për të mbikqyrur propozimet për reforma.

Por grupimi anti-qeveritar Komiteti për Reforma Demokratike Popullore që ka organizuar tubime proteste që në nëntor, i ka hedhur poshtë propozimet. Bankoku është bllokuar nga dhjetëra mijëra protestues anti-qeveritarë që bëjnë thirrje për reforma politike dhe për eliminimin e ndikimit të Thaksin Shinawatras, vëllai i kryeministres Yingluck Shinavatra, i cili jeton në mërgim për t’i shpëtuar dënimit me burgim për korrupsion.

Trazirat janë më të rëndat që nga viti 2010 kur protesta anti-qeveritare lanë 90 të vdekur, ndër të cilët civilë dhe ushtarë.
XS
SM
MD
LG