Lidhje

Takim i G7 për Ukrainën


Presidenti amerikan Barack Obama është në Holandë për një takim urgjent në Hagë me udhëheqësit e G7 për të diskutuar përgjigjen ndërkombëtare ndaj aneksimit rus të gadishullit të Krimesë.

Takimi i G-7 është duke u zhvilluar krahas një takimi të nivelit të lartë për sigurinë bërthamore të planifikuar më herët.

Pak pas mbërritjes në Holandë, zoti Obama u takua me kryeministrin holandez Mark Rutte dhe iu drejtuan medias për të shprehur solidaritetin në mbështetjen e tyre për Ukrainën:

" Evropa dhe Amerika janë të bashkuar në mbështetjen tonë për qeverinë dhe popullin ukrainas. Ne jemi të bashkuar për t’i imponuar një kosto Rusisë për veprimet e saj. Kryeministri Rutte me të drejtë vuri në dukje dje se sanksionet në rritje do të kenë pasoja për ekonominë ruse. Do të takohem me homologët e G7 sot më vonë, dhe do të vazhdojmë të bashkërendojmë ngushtë me Holandën dhe partnerët tanë evropianë masat që do të marrim në të ardhmen. "

Analistët thonë se ky takim duket se ka për qëllim koordinimin e sanksioneve perëndimore ndaj Moskës për shkak të ndërhyrjes së trupave ruse në Krime këtë muaj.

Grupi gjithashtu pritet të vlerësojë edhe koston e masave të mundshme që mund të marrë Moska ndaj perëndimit për t’u hakmarrë.

Zoti Obama dhe Sekretari i Shtetit John Kerry kanë në plan të takohen me Ministrin e Jashtëm rus Sergei Lavrov.

Ndërkohë në Bruksel, komandanti i forcave të NATO-s, gjenerali amerikan Philip Breedlove tha se Rusia ka grumbulluar një numër të konsiderueshëm forcash në kufi me Ukrainën dhe sipas tij Moska mund të jetë duke shqyrtuar mundësinë e marrjes edhe të territoreve të tjera.

“Përsa i përket Odesës dhe Transdniestrës ne jemi shumë të shqetësuar. Ka forca të mjaftueshme në kufijtë lindorë të Ukrianës për të ndërhyrë në Transdniestër, në se merret një vendim për të. Dhe kjo është shumë shqetësuese. Në ushtri kur flasim për kërcënime ne analizojmë dy elementë: kapacitetin dhe synimin. Kapaciteti egziston. Ajo që nuk dimë është synimi.”

Rajoni i Transdniestrës shpalli pavarësinë nga Moldavia në vitet ’90. Moska nga ana e saj këmbëngul se po respekton ligjet ndërkombëtare për numrin e trupave në kufi me Ukrainën. Javën e kaluar ministri rus i Mbrojtes e siguroi sekretarin amerikan të Mbrojtjes se trupat ruse në kufi me Ukrianën nuk kanë synim të kalojnë kufirin.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG