Lidhje

NATO pezullon bashkëpunimin me Rusinë



Ministrat e jashtëm të NATO-s, vendosën të pezullojnë bashkëpunimin civil dhe ushtarak me Rusinë, për shkak të konfliktit mbi Ukrainën.

Në një deklaratë të përbashkët, pas takimit në Bruksel, ministrat theksojnë se dialogu politik i NATO-s me Rusinë mund të vazhdojë sipas nevojave. Ministrat theksojnë se nuk do të njohin përpjekjen e Rusisë për të aneksuar gadishullin ukrainas të Krimesë, duke e cilësuar atë si të paligjshëm.

Ministrat i bëjnë thirrje Rusisë të ndërmarrë hapa të menjëhershëm për t’iu rikthyer zbatimit të ligjeve ndërkombëtare.

Ministrat po ashtu theksojnë angazhimin e tyre për të intensifikuar bashkëpunimin me Ukrainën, që synon forcimin e aftësive të saj mbrojtëse.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen tha sot se ai nuk mund të konfirmojë njoftimin se Rusia po i tërheq trupat e saj nga kufiri me Ukrainën.

Kancelarja gjermane Angela Merkel bisedoi të martën në telefon me Presidentin Vladimir Putin dhe zyra e saj njoftoi se zoti Putin i kishte thënë kancelares se trupat ruse po tërhiqeshin. Zonja Merkel më pas u tha gazetarëve se veç “tërheqjes” Moska duhet të ndërmarrë hapa të tjerë për çtensionimin e marrëdhënieve mes Ukrianës dhe Rusisë.

Rusia kishte njoftuar se kishte tërhequr të hënën qindra trupa nga kufiri me Ukrainën, por sipas njoftimeve dhjetra mijëra trupa të tjera janë ende aty.

Takimi i së martës dhe së mërkurës të ministrave të jashtëm të NATO-s, është i pari, që pas fillimit të krizës së Ukrainës muajin e kaluar.

Diplomatët thonë se NATO-ja mund të vendosë të shtojë manovrat ushtarake, ose të krijojë baza të përhershme në Evropën Lindore në afërsi të kufirit me Rusinë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG