Lidhje

Takim i nivelit të lartë të BE-së për krizën financiare

  • Henry Ridgewell

Takim i nivelit të lartë të BE-së për krizën financiare

Takim i nivelit të lartë të BE-së për krizën financiare

Ndërsa Greqia përpiqet të paguajë borxhet, udhëheqësit e Bashkimit Evropian duhet të përpiqen që të parandalojnë përhapjen e krizës tek ekonomi më të mëdha si ajo e Italisë dhe Spanjës

Udhëheqësit evropianë mblidhen nesër në Bruksel për një takim të nivelit të lartë që ka si synim të konsolidojë një plan për të shpëtuar Euron. Ndërsa Greqia përpiqet të paguajë borxhet, udhëheqësit e Bashkimit Evropian duhet të përpiqen që të parandalojnë përhapjen e krizës tek ekonomi më të mëdha si ajo e Italisë dhe Spanjës, që nëse ndodh mund të kërcënojë edhe të ardhmen e vetë Bashkimit Evropian.

Ky është shembulli më i qartë konkret për t’u kujtuar udhëheqësve evropianë se sa e rëndë është kriza e borxhit.

Përpjekja e fundit e Greqisë për të shkurtuar shpenzimet u shoqërua me dy ditë protestash të dhunshme dhe grevash masive këtë javë.

Duke sfiduar protestuesit, kryeministri grek Jorgo Papandreu ia arriti që të realizojë miratimin në Parlament të masave të rrepta financiare, një domosdoshmëri për pjesën tjetër të kredisë nga Bashkimi Evropian dhe FMN-ja.

Kjo do t’i inkurajonte udhëheqësit evropianë. Pas disa muaj trazirash dhe uljes së vlerësimit të kreditimit, takimi i nesërm është përcaktuar si momenti kur Evropa duhet të bashkohet për të frenuar valën e krizës së borxhit.

“Nëse duam ta përdorim krizën si mundësi, nëse jemi të vendosur për ‘Evropë më të madhe’, atëherë ne duhet ta përdorim këtë shans për t’u përgatitur për ndërhyrje jokonvencionale dhe të shpejtë”.

Pak udhëheqës janë optimistë për një marrëveshje të shpejtë: një takim i dytë i nivelit të lartë është parashikuar për të mërkurën e ardhshme. Deri atëherë, Franca dhe Gjermania thonë se do t’i kenë kapërcyer mosmarrëveshjet për mënyrat e konsolidimit të fondit për nxjerrjen nga kriza.

Analistët thonë se vëmendja kryesore duhet përqendruar tek derdhja e më shumë fondeve në bankat me probleme. Dhe ky do të ishte vetëm fillimi.

Tobias Blattner i firmës Daiwa Capital Markets thotë se Evropa duhet të demonstrojë se mund t’i nxjerrë nga situata vende si Italia dhe Spanja nëse ngecen në spiralen e borxhit.

“Ata duhet ta forcojnë fondin për nxjerrjen nga kriza që të frenojmë përhapjen e saj dhe të mos ketë më shqetësime për një dështim të mundshëm në Itali. Por fatkeqësisht duket se propozimet e deritanishme dhe mënyra sesi duan ta përdorin fondin për nxjerrjen nga kriza, nuk do të jetë e mjaftueshme. Për këtë arsye ka mundësi që takimi t’i zhgënjejë pjesëmarrësit e tregjeve financiare”.

Kriza e borxheve është aq serioze sa edhe vetë themelet e Evropës po vihen në diskutim.

XS
SM
MD
LG