Lidhje

Takim me dyer të mbyllura në Kongres mbi sulmet

  • Cindy Saine

Ligjvënësit amerikanë u informuan mbi sulmet e dhunshme në Lindjen e Mesme nga Sekretarja Klinton dhe zyrtarë të tjerë të lartë

Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillari Klinton, drejtori i Shërbimit Kombëtar të Zbulimit, James Clapper, dhe Zëvendës Sekretari i Mbrojtjes, Ashton Carter, zhvilluan dje takim me dyer të mbyllura me të gjithë anëtarët e Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit për të dhënë informacione lidhur me sulmet e fundit të dhunshme kundër ambasadave amerikane dhe objekteve të tjera diplomatike në Libi, Egjipt dhe vende të tjera.

Zyrtarët e lartë të administratës Obama shkuan në Kongres në një kohë kur disa ligjvënës konservatorë janë duke i bërë thirrje administratës së Presidentit të rishikojë ndihmat e jashtme vjetore të saj për Libinë, Egjiptin, Pakistanin dhe vendet e tjera ku ka patur protesta të dhunshme anti-amerikane. Takimet rreth informacioneve të zbulimit u zhvilluan ndërsa zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Jay Carney u tha gazetarëve se ishte mjaft “e qartë se ajo që ndodhi në Bengazi ishte një sulm terrorist”.

Ligjvënësit, duke dalë nga konferenca me dyer të mbyllura, thanë se nuk mund të komentonin mbi ato që sapo kishin dëgjuar, dhe bënë komente bazuar në informacionet që dinin në përgjithësi.

Republikani i Kalifornisë, Howard "Buck" McKeon, kryetar i Komisionit të Shërbimeve të Armatosura, në Dhomën e Përfaqësuesve, tha se duket se dhuna në Libi, që mori jetën e katër amerikanëve, ishte një sulm terrorist i planifikuar.

"Al-Kaida është emri që është përdorur, dhe mendoj se është ajo që duhet të zbulojmë."

Disa ligjvënës republikanë kritikuan administratën e Presidentit Obama se kishte ndryshuar informacionin mbi mënyrën se si rrodhën ngjarjet në konsullatën amerikane në Bengazi. Por ligjvënës demokratë thanë se faktet janë ende në zbulim e sipër dhe se FBI-ja po heton rreth sulmit.

Ligjvënësi demokrat Adam Smith i Uashingtonit:

"Ata janë ende duke studiuar informacionet. Padyshim që ende janë duke u përpjekur të kuptojnë se kush kreu sulmin, si të mund t’i kapin ata, si t’i gjejnë ata njerëz, dhe si të parandalojnë sulme të ardhshme. I gjithë ky proces është duke u zhvilluar."

Para konferencës, Sekretarja e Shtetit Klinton tha se Shtetet e Bashkuara po përballen me sfida shumë serioze në vendet e demokracive të reja të Lindjes së Mesme. Por ajo përsëriti synimin për përfshirje të fortë e të vazhdueshme të SHBA-së në rajon.

"Siç thashë dhe javën e kaluar, shumica dërrmuese e njerëzve në këto vende nuk rrëzuan tiraninë e një diktatori për ta ndërruar atë me tiraninë e kriminelëve. Ne jemi të shqetësuar në radhë të parë për njerëzit dhe objektet tona. Por jemi gjithashtu të shqetësuar për sigurinë e brendshme në këto vende."

Ligjvënësit e të dy partive më të mëdha politike kanë shprehur zemërim që Presidenti egjiptian Mohammed Morsi la të kalonin rreth 24 orë para se të kritikonte një protestë në ambasadën amerikane në Kajro. Disa ligjvënës konservatorë kanë kërkuar që të shkurtohen ndihmat e huaja në Egjipt, Libi, Pakistan dhe vende të tjera.

Por, pothuajse të gjithë anëtarët e Dhomës së Përfaqësuesve dhe shumë anëtarë të Senatit pritet të kthehen në shtetet e tyre këtë javë për fushatë, përpara zgjedhjeve të përgjithshme, prandaj nuk ka shumë gjasa të ndërmerren masa në lidhje ndihmën e huaj para 6 nëntorit.
XS
SM
MD
LG