Lidhje

Takim në Katar për bashkërendimin e përgjigjes ndërkombëtare në Libi

  • Zëri Amerikës

Takim në Katar për bashkërendimin e përgjigjes ndërkombëtare në Libi

Takim në Katar për bashkërendimin e përgjigjes ndërkombëtare në Libi

Diplomatët u mblodhën sot në Katar për të bashkërenduar përgjigjen ndërkombëtare ndaj konfliktit në Libi, ndërkohë që Franca dhe Britania i bënë thirrje aleancës së NATO-s të intensifikojë sulmet ajrore kundër forcave qeveritare që sulmojnë civilët.

Grupi Ndërkombëtar i Kontaktit për Libinë, i cili takohet për herë të parë, mblodhi në një tryezë qeveritë perëndimore dhe rajonale që kanë shprehur mbështetje për opozitën libiane.
Këshilli Kombëtar i Tranzicionit të rebelëve mori pjesë në takim gjithashtu, së bashku me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së Ban Ki Mun.

Sekretari i Jashtëm britanik Uilliam Hejg tha se trysnia për të hequr dorë nga pushteti po shtohet ndaj udhëheqësit libian Moamar Gadafi.

“Mendoj se trysnia për largimin e zotit Gadafi po shtohet, e sidomos me takimin e sotëm.”

Një zëdhënës për delegacionin rebel kërkoi më shumë ndihmë nga NATO-ja dhe tha se rebelët nuk duan asgjë më pak se largimin e zotit Gadafi dhe përfundimin e sulmeve nga forcat e tij.

“Çështja e mbrojtjes së civilëve është kryesorja për ne. Dhe ne mendojmë se NATO-ja nuk po bën sa duhet.”

Dje, Franca dhe Britania i bënë thirrje aleancës së NATO-s të intensifikojë sulmet ajrore kundër forcave qeveritare që sulmonin civilët.

NATO-ja i hodhi poshtë kritikat e Francës dhe Britanisë. Gjenerali francez i Forcave Ajrore Zhan Pol Palmero tha se shpreson që sulmet ajrore të kenë efekt.

“Është e qartë se sot në Libi, sulmet ajrore janë element vendimtar. Të gjithë e dimë se ata nuk mund ta zgjidhin krizën vetëm, megjithëse janë një mjet i vlefshëm në duart e politikanëve. Shpresoj që trysnia që do të vihet mbi zotin Gadafi sot do të bëjë që situata të ndryshojë.”

NATO-ja e mori komandën e operacioneve në Libi nga Shtetet e Bashkuara me 31 mars.

XS
SM
MD
LG