Lidhje

Takim Obama-Gjinping në Shtëpinë e Bardhë


Takim Obama-Gjinping në Shtëpinë e Bardhë
Takim Obama-Gjinping në Shtëpinë e Bardhë

Presidenti Barak Obama do të presë nesër në Shtëpinë e Bardhë nën presidentin e Kinës, Shi Gjinping. Zoti Shi pritet të marrë vitin e ardhshëm postin e presidentit dhe bisedimet e nesërme zhvillohen mes sfidave të mëdha në marrëdhëniet amerikano-kineze.

Zyrtarë dhe ish zyrtarë amerikanë e kinezë shënuan 40 vjetorin e vizitës në vitin 1972 të presidentit Richard Nixon në Kinë, e cila u hapi rrugën marrëdhënieve normale mes dy vendeve.

Mes të pranishmëve ishte edhe nën presidenti kinez, Shi Gjinping, i cili i hodhi një vështrim marrëdhënieve amerikano-kineze.

"Ne kemi zhvilluar një dialog të ngushtë për sfida të vështira globale si krizat financiare ndërkombëtare dhe ndryshimet klimatike si dhe kemi trajtuar si duhet çështje të nxehta rajonale, përfshirë Gadishullin Korean, çështjen bërthamore të Iranit, Lindjen e Mesme dhe Azinë Jugore".

Zoti Shi pritet të marrë postin e Kryetarit të Partisë Komuniste të Kinës këtë vit dhe atë të presidentit vitin e ardhshëm.

Ai e viziton Shtëpinë e Bardhë rreth një vit pas një vizite shtetërore të presidentit të tanishëm kinez, Hu Gjintao. Në takimin me Presidentin Hu vitin e kaluar, zoti Obama theksoi rëndësinë e bashkëpunimit mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës.

“Ne jemi shumë të interesuar për suksesin e njeri tjetrit në një botë të ndërlidhur, në një ekonomi globale; vendet e botës, përfshirë edhe vendet tona, do të jenë më të begata dhe më të sigurta kur ne bashkëpunojmë me njëri-tjetrin”.

Por ekzistojnë mosmarrëveshje të rëndësishme lidhur me politikat tregtare e monetare, të drejtat e njeriut, Iranin dhe Korenë e Veriut. Kina, bashkë me Rusinë, i vunë veton kohët e fundit një rezolute të Këshillit të Sigurimit mbi Sirinë, e cila u mbështet nga Uashingtoni.

Në fjalimin mbi gjendjen e vendit muajin e kaluar, Presidenti Obama përmendi Kinën kur u zotua se do të veprojë ashpër kundër praktikave të padrejta tregtare.

Kenneth Lieberthal është drejtor i Qendrës John L. Thornton për Kinën në Institutin Brookings në Uashington.

“Presidenti me të drejtë është shumë i zemëruar që Kina nuk zbaton rregullat për sa i përket subvencioneve të brendshme dhe në aspekte të tjera, që i vënë në disavantazh firmat amerikane dhe shumë firma të tjera, të cilat punojnë në interes të Kinës”.

Kina është e shqetësuar rreth shtimit të pranisë ushtarake amerikane në rajonin e Azi-Paqësorit, që shikohet gjerësisht si kundërpërgjigje ndaj vetëbesimit të saj në rritje në rajon.

David Lampton, drejtor i Programit të Studimeve për Kinën në Universitetin Johns Hopkins, thotë se nën presidenti Shi Gjinping mund të ofrojë sigurime të mëtejshme rreth synimeve të Kinës kur ai të vizitojë Shtëpinë e Bardhë.

“Jam më se i bindur, pasi sapo kam vizituar Pekinin dhe kam biseduar me njerëz atje, se kinezët e kuptojnë se alarmi i vendeve aziatike nuk është pozitiv për ta. Mendoj se synimi i vizitës së nën presidentit Shi ka pjesërisht për qëllim që ta sigurojë botën rreth një vazhdimësie se ndërsa Kina rritet si fuqi, ajo nuk do të shtojë pasigurinë apo kërcënimin”.

Nga Uashingtoni, Shi Gjinping pritet të shkojë në shtetin e Iowa-s dhe më pas në Kaliforni para se të kthehet në Kinë.

XS
SM
MD
LG