Lidhje

Takim SHBA-Kanada-Meksikë për bashkëpunim rajonal

  • Zllatica Hoke

Udhëheqësit e Shteteve të Bashkuara, Kanadasë dhe Meksikës, u takuan në Ottawa, me synimin për të fuqizuar bashkëpunimin ekonomik dhe të sigurisë, në një kohë kur Bashkimi Europian, po ndjen plasaritje. Planet e Britanisë për t’u larguar nga blloku dhe sulmi terrorist në Turqi, e mjegulluan takimin e së mërkurës në kryeqytetin kanadez, ku tre udhëheqësit biseduan për një integrim më të madh mes vendeve të tyre.

Takimi i njohur si “Tre miqtë”, është i pari i këtij lloji që organizohet nga kryeministri kanadez Justin Trudeau, i cili tha se ky ishte takimi i fundit për presidentin Obama në postin e tij:

"Është paksa e trishtueshme që ky ka për të qenë rasti i fundit për ne të tre që të takohemi në këtë cilësi, duke patur parasysh largimin e pashmangshëm të presidentit Obama nga posti.”- tha ai.

Shtetet e Bashkuara, Kanadaja dhe Meksika janë anëtare të Marrëveshjes për Tegtinë e Lirë të Amerikës Veriore, ((NAFTA)), të cilën e kundërshtojnë një pjesë e amerikanëve.

Kandidati republikan për president Donald Trump është zotuar se do ta rinegociojë marrëveshjen nëse zgjidhet dhe ndoshta do të vendosë largimin prej saj.

Presidenti Obama pranoi se ka shqetësime legjitime lidhur me pabarazinë sociale për shkak të globalizimit, por ai shtoi se tërheqja nga marrëveshjet tregtare nuk është përgjigja e duhur.

"Para së gjithash, për arsye se nuk është e realizueshme, ngaqë uzinat tona të makinave për shembull, do të mbylleshin, në se ne nuk do të kishim lidhje me disa pjesë në zona të tjera të botës. Në këtë rast ne do të humbnim vende pune dhe do të kishim probleme të jashtëzakonshme.”- tha Presidenti Obama.

Presidenti tha se britanikët, të cilët votuan për t’u larguar nga Bashkimi Europian, përsëri vazhdojnë të duan të kenë qasje në tregun e lirë, por ata thjesht nuk duan të kenë detyrimet që shoqërojnë këtë proces. Ai tha se epoka e prodhimit industrial shumë fitimprurës, për të cilën një numër i madh amerikanësh kanë nostalgji, është minuar nga zhvillimi i teknologjisë.

"Industria e çelikut është duke prodhuar më tepër se kurrë çelik në Shtetet e Bashkuara. Por tani ajo ka nevojë vetëm për një të dhjetën e punëtorëve që e bënin më parë këtë punë.”

Të tre udhëheqësit e dënuan sulmin e së martës në Stamboll. Presidenti meksikan Enrique Pena Nieto tha se Meksika dhe Shtetet e Bashkuara bashkëpunojnë ngushtë për të parandaluar sulme të ngjashme në vendet e tyre.

"Siguria e dy vendeve tona është në nivelin e tanishëm në saje të bashkëpunimit mes dy qeverive tona në ndarjen e informacioneve, duke patur një komunikim të përditshëm,”- tha presidenti meksikan.

Në fjalimin që mbajti mbëmë në Parlamentin e Kanadasë, Presidenti Obama theksoi se marrëdhënia amerikano-kanadeze është e qëndrueshme, në një kohë kur Bashkimi Europian është tronditur nga rezultati i referendumit britanik për daljen nga organizata dhe në kushtet kur Kina ka marrëdhënie të tensionuara me fqinjët e vet në Detin e Kinës Jugore.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG