Lidhje

Marrëveshje të reja mes Teheranit e Phenianit


Një delegacion i nivelit të lartë i Koresë së Veriut, i kryesuar nga Kryetari i Asamblesë Kombëtare ndodhet në Iran

Një delegacion i nivelit të lartë i Koresë së Veriut, i kryesuar nga Kryetari i Asamblesë Kombëtare ndodhet në Iran. Gjatë një takimi me presidentin iranian Mahmud Ahmadinexhad në Teheran ata kanë nënshkrurar një memorandum mirëkuptimi në fushat e teknologjisë dhe shkencës.

Delegacioni koreanoverior më parë mori pjesë në Takimin e Vendeve të Paangazhuara që u mbajt në Teheran. Qeveria iraniane e shfrytëzoi takimin një-javor për të theksuar qëndrimin e vet ndaj krizës në Siri dhe për t’iu kundërvënë fuqive perëndimore për izolimin e Teheranit për shkak të programit bërthamor që ka vendi.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre thonë se Irani po përpiqet të prodhojë armë bërthamore, por Teherani e mohon këtë akuzë, duke thënë se programi ka synime paqësore. Edhe Koreja e Veriut ka një program bërthamor, megjithëse këmbëngul se ai ka synime paqësore.

Në deklaratën përfundimtare të Takimit të Vendeve të Paangazhuara thuhej se të gjitha vendet kanë të drejtën të zhvillojnë dhe përdorin energjinë bërthamore për synime paqësore. Në deklaratë po ashtu dënoheshin sanksionet ekonomike, një referencë e qartë për masat ndëshkuese ndaj Iranit, nën drejtimin e SHBA, lidhur me refuzimin për të ndaluar procesin e pasurimit të uraniumit.
XS
SM
MD
LG