Lidhje

G-8 paralajmëron masa kundër Phenianit


Ministrat e Jashtëm të Grupit të Tetëshes më të industrializuar, ku përfshihet edhe Rusia, paralajmëruan marrjen e masave të mëtejshme nëse Koreja e Veriut kryen një manovër tjetër me raketa apo provë bërthamore në kundërshtim me rezolutat e Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Koreja e Veriut pritet të lëshojë një raketë të re me rreze të mesme veprimi.

Kreu i Grupit të ministrave të jashtëm, Sekretari i Jashtëm britanik William Hague, foli në emër të anëtarëve pas takimit:

"Ministrat u shprehën në mbështetje të forcimit të sanksioneve aktuale dhe marrjen e masave shtesë në rast të hedhjes së një rakete tjetër apo një prove të re bërthamore nga Koreja e Veriut”.

Zoti Hague e bëri të qartë se kërcënimi nënkupton sanksione shtesë, jo masa ushtarake. Por ai nënvizoi se të gjitha vendet, përfshirë Rusinë u shprehën se e dënojnë programin koreano-verior bërthamor dhe të raketave “në mënyrën më të fortë të mundshme”.

Nuk pati shprehje të tillë unanimiteti për Sirinë. Zoti Hague pohoi se Rusia dhe Kina, e cila nuk i përket G-shes, vazhdojnë të kundërshtojnë marrjen e masave më të forta ndërkombëtare. Ai tha se nuk është arritur mirëkuptim gjatë takimit të Londrës, por shtoi se vazhdimi i bisedimeve është i rëndësishëm dhe gjithashtu duhet punuar për ndihmat humanitare dhe mbështetje jo-ushtarake për opozitën siriane.

Por ai u shpreh me tone të ashpra për qëndrimin e përgjithshëm ndërkombëtar ndaj situatës në Siri:

"Lidhur me Sirinë, bota ka dështuar deri tani në përgjegjësitë e saj dhe vazhdon të mbajë të njëjtin qëndrim, ndërkohë që Këshilli i Sigurimit, siç e kam thënë edhe herën e fundit në Parlament kur u diskutua kjo çështje, nuk ka përmbushur përgjegjësitë e tij”.

Zoti Hague tha se procesi diplomatikt është bllokuar pasi Rusia dhe Kina i kanë vënë veton dy herë miratimit nga Këshilli i Sigurimit, rezolutave më të forta dhe ka gjasa që ta bëjnë këtë përsëri.

Ai tha se nëse nuk ka ndryshime, ka argumenta të forta pro idesë për të hequr embargon e armëve nga BE-ja, kur të diskutohet zgjatja e mandatit të embargos muajin e ardhshëm. Ai tha se Siria rrezikon të bëhet katastrofa më e madhe humanitare e shekullit XXI.

Mosmarrëveshjet me Iranin lidhur me programin e tij bërthamor ishin një tjetër temë diskutimesh. Sekretari i Jashtëm Hague shprehu zhgënjimin e tij lidhur me bisedimet e javës së kaluar në Kazakistan dhe tha se Teherani nuk po ofron atë që kërkohet për të shënuar sukses. Ai nuk pranoi të diskutonte një afat kohor për vazhdimin e negociatave, por u shpreh se gjashtë fuqitë botërore mund të duhet të presin deri pas zhvillimit të zgjedhjeve presidenciale të qershorit në Iran.

Sekretari i Jashtëm britanik tha se Irani duhet të vendosë brenda këtij viti nëse seriozisht kërkon një zgjidhje përmes negociatave. Irani thotë se programi i tij ka synime paqësore, por shumë vende besojnë se Teherani po përpiqet të prodhojë një armë bërthamore. Ekzistojnë shqetësime se nëse sanksionet dhe diplomacia nuk i bindin udhëheqësit iranianë të ndalin pasurimin e uraniumit dhe të lejojnë kryerjen e inspektimeve, Shtetet e Bashkuara ose Izraeli mund të ndërmarrin veprime ushtarake.

Ministrat e G8 u mblodhën në prag të takimit të nivelit të lartë të udhëheqësve të Grupit që zhvillohet në qershor në Britani.
XS
SM
MD
LG