Lidhje

Optimizëm për raundin e ri të bisedimeve me Iranin


Negociatorët iranianë dhe ndërkombëtarë do të vazhdojnë sot një seri takimesh që, sipas zyrtarëve mund të çojnë në hapat e parë drejt garancive se programi bërthamor i Iranit është paqësor dhe si rezultat mund të çojnë drejt zbutjes së sanksioneve ekonomike.

Takimi i djeshëm i grupit të negociatorëve zgjati vetëm 45 minuta, por zyrtarët thonë se takimi ishte planifikuar i tillë dhe gjatë natës vazhduan takime dypalëshe. Kjo është e hera e parë në pesë javë që negociatorët e qeverisë së re iraniane dhe grupit të kontaktit zhvillojnë takim. Herën e fundit, Ministri i Jashtëm iranian Javad Zarif kritikoi negociatorët se kishin ndryshuar kursin e bisedimeve, një zhvillim që u pa gjerësisht si rezultat i këmbënguljes së Francës në disa parakushte. Por gjatë një ndalese në Itali para mbërritjes në Gjenevë, zoti Zarif shprehu optimizëm për raundin e ri:

"Po shkoj në Gjenevë me vendosmërinë për të dalë me një marrëveshje në përfundim të këtij raundi. Jam i sigurtë se me vullnetin e nevojshëm politik mund të arrijmë përparim dhe biles edhe një marrëveshje”.

Por udhëheqësi supreme i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei zgjoi shqetësime me një fjalim dje.

Ajatollahu tha se Irani “nuk do të tërhiqet asnjë një grimë” nga ato që i cilëson si të drejtat e tij, një referencë e qartë ndaj pretendimit të Iranit se gëzon të drejtën për të pasuruar uranium, që Shtetet e Bashkuara thonë se asnjë vend nuk e gëzon.

Në një video të bërë publike të martën, Ministri Zarif bëri komente që u dhanë shpresë analistëve për arritjen e një zgjidhjeje:

"Të drejtat nuk dhurohen. Meqë nuk dhurohen, as nuk mund të hiqen”.

Kjo mund të nënkuptojë se Irani nuk do të këmbëngulë në mënyrë të hapur për të drejtën për pasurimin e uraniumit, për sa kohë që marrëveshja nuk specifikon se ndalohet pasurimi. Një zyrtar i lartë amerikan në Gjenevë thotë se negociatat mund të gjejnë një zgjidhje për këtë problem.
XS
SM
MD
LG