Lidhje

Takimi i udhëheqësve të BE-së shtyn vendimin për planin ekonomik


Takimi i udhëheqësve të BE-së shtyn vendimin për planin ekonomik
Takimi i udhëheqësve të BE-së shtyn vendimin për planin ekonomik

Shtyrja ngre pikëpyetje mbi vullnetin e Evropës për të vepruar me guxim dhe shpejtësi

Kryeministri grek bëri sot thirrje për një zgjidhje të plotë të krizës së borxheve në Evropë, por udhëheqësit evropianë thanë se botës do t’i duhet të presë edhe disa ditë. Shtyrja e një plani masiv për ekonominë e Evropës ka ngritur pikëpyetje nëse Evropa e ka vullnetin për të vepruar me guxim dhe me shpejtësinë e duhur që të ndihmojë Greqinë të dalë nga borxhi, të parandalojë rënien e vendeve më të mëdha si Spanja dhe Italia në të njëjtën situatë dhe të qetësojë tregjet që kanë reaguar negativisht ndaj trazirës.

Deri tani bankat e kontinentit kanë qenë në qendër të bisedimeve maratonë në Bruksel. Udhëheqësit e Bashkimit Evropian mund t’u kërkojnë bankave që të pranonin humbje të mëdha në letrat me vlerë greke për të lehtësuar presionin ndaj vendit dhe për të mbledhur miliarda dollarë kapital për t’i përballuar ato humbje. Por plani i madh i premtuar për sot u shty përsëri. Një tjetër takim i nivelit të lartë pritet të mbahet të mërkurën. Kancelarja gjermane Angela Merkel u përpoq t’i zbuste shpresat për ndonjë arritje në takimin e sotëm.

“Sot do të zhvillohen bisedime të rëndësishme si në Këshillin Evropian me 27 vende anëtare ashtu edhe në grupin e Eurozonës me 17 anëtarë. Do të diskutojmë në përgatitje për bisedimet e së mërkurës”.

Vonesa është shkaktuar kryesisht për shkak të mosmarrëveshjeve mes Kancelares Merkel dhe Presidentit francez Nicolas Sarkozy për mënyrën e menaxhimit të fondit për nxjerrjen nga kriza. Franca do që të përdoren rezervat masive të Bankës Qendrore Evropiane, një alternativë që Gjermania nuk e pranon. Ekonomitë më të dobëta nuk duan të pranojnë dy pjesë të tjera të planit të madh, më shumë kapital për bankat dhe shkurtime të borxhit grel, pa u siguruar që fondet e nxjerrjes nga kriza janë në dispozicion për të siguruar mbështetje.

Ndërkohë Greqia është e revoltuar pas disa shkurtimesh të buxhetit që kanë shkaktuar greva dhe protesta.

“Greqia ka dhënë prova që po merr vendimet e nevojshme për ta forcuar ekonominë dhe për ta bërë më të drejtë”, tha kryeministri Papandreu para se të hynte në takime.

Raporti i kreditorëve ndërkombëtarë për Greqinë thoshte se atyre ka mundësi t’i duhet t’i japin Greqisë më shumë fonde, nëse bankat nuk pranojnë që të garantojnë 60 për qind të letrave të tyre me vlerë.

Nuk pritet që të merret ndonjë vendim sot. Një projekt-deklaratë për përfundimet e takimit të nivelit të lartë vetëm, përshëndeste përparimin e bërë nga ministrat e financave, duke shtuar se vendimi i fundit do të merret nga një takim tjetër i ministrave të financave para takimit të dytë të nivelit të lartë.

Përpjekjet për një zgjidhje të përgjithshme e ka ndarë kontinentin. Një nga problemet më të mëdha është që të mos lejohet të dalë jashtë kontrollit kostoja e marrjes hua për Italinë dhe Spanjën, siç ndodhi me Greqinë, Portugalinë dhe Irlandën pasi Bashkimi Evropian nuk i ka fondet për t’i shpëtuar ato.

XS
SM
MD
LG