Lidhje

Takimi Obama - Letta


Presidenti Barak Obama dhe kryeministri italian Enrico Letta përgëzuan sot njëri-tjetrin për mbijetesën në krizat e zgjatura buxhetore në vendet përkatëse dhe u zotuan të punojnë së bashku për të përparuar me bisedimet SHBA-BE mbi tregtinë dhe çështjet e sigurisë.

Dy udhëheqësit u takuan në Zyrën Ovale të Shtëpisë së Bardhë një ditë pasi Kongresi amerikan ra dakord për të financuar qeverinë amerikane deri në janar dhe për të rritur tavanin e borxhit deri në shkurt. Qeveria e SHBA-së u rihap pas një mbylljeje të pjesshme që zgjati 16 ditë.

Zoti Letta tha se marrëveshja e arritur në SHBA do të ndihmojë për të mbajtur normat globale të interesit të ulëta, që është diçka jetike për vendin e tij me një borxh të lartë kombëtar. Kryeministri Enrico Letta gjithashtu po përballet me probleme buxhetore në Itali.

Më parë gjatë këtij muaji, ai fitoi një votëbesim në parlament pas një sfide nga ana e ish-kryeministrit Silvio Berlusconi. Këtë javë, ai bëri publik një buxhet të ri me shkurtime të shpenzimeve dhe taksa.

Presidenti Obama e uroi Kryeministrin italian për votëbesimin e fituar dhe për buxhetin e tij.

"Mendoj se është e qartë që Italia është duke ecur në drejtimin e duhur në stabilizimin e financave të saj dhe se po ndërmerr reforma që do ta bëjnë më konkurruese," tha zoti Obama.

Udhëheqësit Obama dhe Letta thanë se ata biseduan dhe rreth mënyrave për të zgjeruar ekonominë evropiane dhe mbi rëndësinë e Marrëveshjes së Tregtisë BE-SHBA, e njohur si Partneriteti Transatlantik i Tregtisë dhe Investimeve, që do të jetë marrëveshja e tregtisë së lirë më e madhe në botë.

Italia do të ketë presidencën e Bashkimit Evropian në vitin 2014, dhe Kryeministri Letta tha se "Ëndrra ime do ishte që marrëveshja të nënshkruhej" vitin e ardhshëm.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG