Lidhje

Analistët shohin premtimet e fushatës për taksat


Analistë të ekonomisë dhe përfaqësues të qarqeve të biznesit po ndjekin me vëmendje premtimet ekonomike gjatë fushatës zgjedhore të partive të mëdha, ku vend kryesor ka zënë modeli taksës së sheshtë sipas PD apo taksë progressive sipas PS.

Ekonomia dhe zgjedhjet
please wait

No media source currently available

0:00 0:04:19 0:00


Kryetari dhomës së tregtisë dhe industrisë së Tiranës, Nikolin Jaka, thotë se “në përgjithësi sipërmarrja dhe bizneset mbështesin dhe do të mbështesin sistemin tatimor që është sot; një taksë e sheshtë me tarifa të ulëta, duke patur parasysh që është një ekonomi në zhvillim dhe ka nevojë për stimulim me reforma dhe me sisteme fiskale”. Sipas tij, Partia Socialiste do të zbatojë me kujdes dhe në konsultim të ngushtë me biznesin taksën progresive.

Ekspertë të njohur si Adrian Civici, drejtues i Universitetit Europian, pohojnë se taksa e sheshtë gabimisht kritikohet sikur të ishte taksë unike. Ndërsa taksa progresive ende nuk është e qartë nëse do të jetë me 3 apo me 11 shkallë, dhe se me çfarë formule do të zbatohet ajo mbi pagat, mbi fitimin, mbi qarkullimin apo mbi pronat. “Ndërhyrja në sistemin e taksave është shumë e vështirë dhe nuk mund të jetë qëllim në vetvete, kur ende nuk janë caktuar objektivat ekonomike dhe as mënyra e reformimit të sistemit” - thotë zoti Civici. Ai thekson se forma e taksës nuk është mjeti çudibërës për mirëqenie, dhe as mjeti kryesor për të mbushur buxhetin e shtetit.

Sipas ekonomistëve, buxheti e pëson i pari nga ulja e madhe e taksave që po premtojnë të dy partitë kryesore, të cilat njëkohësisht me uljen e taksave po premtojnë investime dhe begati nga po ky buxhet që po e dobësojnë. Në Qendrën për Kërkime Ekonomike, drejtuesi i saj, Zef Preçi, thotë se sistemi i taksave nuk ka nevojë për ndryshime të mëdha, por për korrigjime. “Qëndrimi i PD për të korrigjuar në ecje e sipër taksën e sheshtë synon të mbrojë rrugën e ndjekur deri tani nga qeveria, ndërsa deklarimi i PS për taksën progresive është më tepër një mënyrë për ta shfaqur atë më qartë si një parti të majtë” - thotë ai.

Ndërsa Gjergj Buxhuku përfaqësues i Konfindustria-s, thotë se “në fillim të fushatës qëndrimet e partive për taksat ishin të kundërta, ndërsa tani që fushata po shkon drejt fundit qëndrimet e tyre po afrohen, aq sa duken se janë brenda një platforme”. Sipas tij, Shqipëria është e rrethuar nga vende me taksa të ulëta e të sheshta që synojnë të tërheqin sa më shumë investime të huaja dhe, për shkak të konkurrencës, nuk mund të bëjë dallim nga kjo situatë.

Sipas analistëve, Bashkimi Europian është neutral sa i takon sistemit të taksave në Shqipëri sepse gjysma e BE zbatojnë taksën progressive dhe gjysma tjetër taksa të sheshta, por në tërësi ata thjesht janë të interesuar që ekonomia shqiptare të shëndoshet dhe të përmbushë standartet europiane, pavarësisht nga metodat.

Ekonomistët pohojnë se taksa është vetëm një element i punës, ndërsa rruga më e sigurtë e suksesit në këtë kohë krize nuk është ndryshimi i sistemit tatimor, por siç rekomandojnë FMN dhe BE, është shëndoshja e financave publike me politika shtrënguese buxhetore, ekuilibrimi i financave publike, si edhe një seri masash që nxitin rritjen ekonomike.
XS
SM
MD
LG