Lidhje

Sistemi i taksave në SHBA sipas organizatës ekonomike për zhvillim e bashkëpunim


Në raportin e saj të fundit, thuhet se SHBA përballet me sfida të mëdha për shkak të rritjes së pabarazisë mes të pasurve e të varfërve

Organizata për Bashkëpunim e Zhvillim Ekonomik po i kushton vëmendje debatit politik të Shteteve të Bashkuara në lidhje me rritjen ose jo taksave për të pasurit. Në raportin e saj të fundit për ekonominë amerikane, organizata, e cila përfaqëson 34 ekonomitë më të mëdha në botë, thotë se ekonomia amerikane po mëkëmbet, por vendi përballet me sfida të mëdha për shkak të rritjes së pabarazisë mes të pasurve e të varfërve.

Ekonomikisht Shtetet e Bashkuara mbeten një prej vendeve më të fuqishme të botës, por ka shenja që tregojnë se epërsia e saj ekonomike po bie. Pavarësisht reputacionit si një udhëheqës botëror në teknologji dhe shpikje në këtë fushë, Ndihmës Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës për Bashkëpunim e Zhvillim ekonomik Richard Boucher thotë se Shtetet e Bashkuara po mbeten pas përsa i përket arsimimit.

“Shtetet e Bashkuara janë një prej shteteve të 34 vendeve të kësaj organizate që shpenzon më pak për arsimin e studentëve pa përkrahje në krahasim me të tjerët. Zakonisht ndodh e kundërta”.

Është një situatë që sipas OECD-së çon në thellimin e pabarazisë - ata që kanë më shumë mundësi financiare marrin një shkollim më të mirë e si rrjedhojë kanë më shumë mundësi të ecin drejt suksesit.

Një tjetër faktor që ndihmon në këtë situatë është ajo që OECD-ja e quan “shtrembërim i ligjit për taksat”.

“Ka elementë të ligjit të taksës që favorizojnë njerëzit me të ardhura të larta. Ne mbërritëm në këtë përfundim duke e studiuar çështjen nga këndvështrimi i pabarazisë por gjithashtu edhe nga fakti se ne mendojmë që sistemi qeveritar i taksave duhet të bëhet më asnjëanës”.

Ndoshta padashje, Organizata është përfshirë në një debat të nxehtë politik, ku shembull është miliarderi Warren Buffet i cili njëherë deklaroi se ai paguan një përqindje më të ulët taksash se sekretarja e tij.

“Mendoj se njerëzit e pasur, njerëzit si unë duhet të paguajnë më shumë taksa”.

Fitimet në të ardhura në Shtetet e e Bashkuara taksohen më lart se të ardhurat nga investimet. Kjo pabarazi është thelbi i propozimit të presidenti Baracka Obama për të vendosur taksa më të larta për amerikanët që fitojnë më shumë se 250 mijë dollarë në vit.

Republikantë e quajnë këtë një rrëmbim taksash, pothuajse një shpallje lufte ndaj krijuesve të vendeve të punës, thotë një nga figurat më me peshë mes republikanëve Paul Ryan.

“Lufta e klasave do ta përçajë edhe më shumë vendin. Do të vërë në shënjestër krijuesit e vendeve të punës dhe nuk e rrit ekonominë”.

Presidenti Obama nuk është dakort me këtë ide.

“Nëse kërkesa që një milioner të paguajë të njëjtën përqindje taksash si një hidraulik, i më bën pjesëtar në luftën e klasave, një luftëtar për klasën e punonjësve, e pranoj me krenari.”

Kjo çështje mund ta përçajë edhe më tej vendin në këtë vit elektoral. Kandidati republikan për president Mitt Romney, ka pranuar se ka paguar më pak se 14 % të të ardhurave të tij për vitin 2010 për të ardhurat nga investinmet, ndërsa disa punonjës me rrogë paguajnë 35% taksa në vit. Mitt Romney ka propozuar shkurtime më të mëdha taksash në shpenzime qeveritare dhe ulje taksash për të gjithë. Ky është një pozicion i cili bie ndesh me idenë e presidentit Obama për më pak shkurtime në programet soiciale dhe më shumë shpenzime për infrastrukturë- shpenzime të cilat do të mbulohen nga rritja e taksave për të pasurit.
XS
SM
MD
LG