Lidhje

Kompanitë shumëkombëshe dhe evazioni fiskal


Çdo vit, Eurozona humbet rreth një trilion euro të ardhura nga kompanitë shumëkombëshe që nuk paguajnë taksa për fitimet e tyre në vendet evropiane. Këto kompani, përfshirë gjigandë si Apple, Amazon dhe Google dhe Starbucks, përfitojnë nga boshllëqet e kodeve të ndërlikuara të sistemit ndërkombëtar të taksave dhe i tranferojnë fitimet tyre në vende të ndryshme të botës, për t'iu shmangur pagimit të taksave. Por tani ato po ndeshen me kontrolle përherë më të forta nga qeveritë e vendeve evropiane me probleme financiare, si dhe me kritikat e konsumatorëve lidhur me praktikat e padrejta dhe humbjen e të ardhurave.

Pagesa e faturave çdo muaj është një sfidë për biznesemin Jalil Kidder, pronar i një kompanie sigurimesh dhe i një restoranti të vogël në periferi të Frankfurtit. Më të kushtueshmet janë pagesat në listën e gjatë të taksave gjermane. Veç taksave të tjera, Jalil i paguan qeverisë gjermane mesatarisht 30 për qind të fitimeve të tij, si taksë për të ardhurat. Në disktriktin financiar të Frankfurtit, jo larg me makinë nga restoranti i tij, dyqani me më tepër klientë i qytetit, Starbucks, nuk ka paguar taksë për fitimet që kur është hapur, 10 vjet më parë. Kjo kontradiktë është në zemër të debatit në Gjermani dhe në Bashkimin Evropian, lidhur me shmangien ndaj taksave nga korporatat e pasura shumëkombëshe.

"Sipas një thënieje, i madhi gllabëron të voglin, thotë ai. Pikërisht këtë jemi duke përjetuar tani në Gjermani: kompanitë e mëdha pasurohen përherë e më tepër, ndërsa bizneset e vogla, si ky që kam unë, e kanë të vështirë, po shkojnë drejt mbylljes."

Starbucks dhe Apple nuk pranuan të japin intervistë për këtë kronikë. Por një hetim i kohëve të fundit nga Senati i Shteteve të Bashkuara, tregon se mes viteve 2009 dhe 2012, kompania Apple nuk ka paguar taksa për të ardhurat jashtë vendit, me vlerën e 74 miliardë dollarëve. Apple e ka realizuar këtë, duke hapur ligjërisht një filial të vetën në Irlandë dhe duke shfrytëzuar një boshllëk në kodin irlandez të taksave. Kompani si Facebook dhe Amazon ndjekin të njëjtat praktika, duke përdorur një rrjet kompleks filialesh në vende si Luksembourgu, Holanda, ose Zvicra, për të mashtruar me taksat me vlerën e miliarda eurove. Kështu, taksat që do të mblidheshin nga Gjermania, ose Franca, i shkojnë Luxembourgut, ose Irlandës, por me shifra më të vogla.

Hanno Kube është profesor për ligjin e taksave në Universitetin e Mainz-it. Ai thotë se këto taktika në dukje ligjore janë jo etike dhe të padrejta për bizneset e vogla.

"Kompanitë e mëdha kanë avantazhin konkurrues që nuk është i pranueshëm; vetëm ngaqë ata përdorin struktura ndërkombëtare, ky nuk është një justifikim që të mos paguajnë taksat. Po ashtu ata përdorin infrastukturën nga shteti ku operojnë, si Gjermania psh, përdorin rrugët, sistemin e tyre bankar, ligjet, prandaj është e drejtë që ata të paguajnë taksa për fitimet që nxjerrin."

BE kohët e fundit i kërkoi qeverive të Irlandës, Holandës dhe Luksemburgut që të bëjnë të njohura marrëveshjet për taksat e korporatave me gjigandët amerikanë të teknologjisë, ndërsa organizata OECD, për bashkëpunimin dhe zhvillimin ekonomik, paraqiti në takimin e këtij muaji të G-20 në Shën Peterburg një plan me 15 hapa, që trajton shmangien ndërkombëtare të taksave.

Plani për reformimin e planit të taksave i OECD-së kërkon që kompanitë shumëkombëshe me operacione nëpër botë të paguajnë taksa për fitimet që nxjerrin nga shitjet në vendin ku ato operojnë, pra të zbatojnë të njëjtat rregullore që ndjekin bizneset lokale. Konsumatorët në Gjermani janë dakord se kjo masë është tashmë e vonuar.

Viola Marienfeld është studente nga Frankfurti:

"Mendoj se është e padrejtë, të gjitha kompanitë në Gjermani duhte të paguajnë taksa, por kjo nuk ma ndryshon mendimin për Starbucks-in. Përsëri ata më pëlqejnë".

Kjo çështje po tërheq vëmendje në Shtetet e Bashkuara, ku ekzekutivët e kompanisë dëshmuan në muajin maj para një nënkomisioni të Senatit, për të shpjeguar praktikat e taksave që ndjek kompania në SHBA dhe jashtë vendit.
Hanno Kube i Universitetit Mainz thotë se nuk është për t'u çuditur fakti, që kompanitë që u shmangen më tepër taksave në Evropë janë ato të teknologjisë së lartë. Shtetet e Bashkuara zbatojnë një ligj taksash që subvencionin kompanitë shumëkombëshe dhe eventualisht çon në humbjen e të ardhurave për vendet evropiane. Zgjidhja e kësaj çështjeje, thotë ai, do të jetë e vështirë, po SHBA janë pjesë e zgjidhjes.

Nëse miratohet, plani 15-pikësh që u bë i njohur këtë muaj nga OECD në Shën Petersburg, do ta rikonceptojë tërësisht sistemin ndërkombëtar të taksave dhe do t'i sjellë miliarda dollarë Euro, tepër të nevojshme rajonit, që përballet me borxhin dhe masa shntrënguese ekonomike. Ajo që është më e rëndësishme, plani do t'i sjellë disa lehtësime bizneseve të vogla dhe taksapaguesve të thjeshtë.
XS
SM
MD
LG